Më 16 shtator bëhen dy vjet prej kur Mahsa Amini, gruaja e re iraniano-kurde, e pagoi çmimin e shtrenjtë për “krimin” e mosvendosjes së duhur të hixhabit.
E njohur për miqtë dhe familjarët me emrin e saj kurd, Jina, vdekja e Aminit sa ka qenë në mbajtje policore ka nxitur protesta mbarëkombëtare, që kanë vazhduar me muaj, duke sfiduar në mënyrën më serioze Republikën Islamike, prej formimit të saj, më 1979.
Amini është ndaluar prej Policisë së "moralit" për, siç është thënë, mosvendosje si duhet të mbulesës në kokë.
Pas vdekjes së saj, automjetet me pjesëtarë të këtij departamenti policor – të njohur për armatim të madh, me qëllim të zbatimit të “ligjit për hixhabin” – janë zhdukur përkohësisht prej rrugëve, teksa protestuesit përreth Iranit kanë protestuar pothuajse çdo ditë, duke i dhënë jehonë lëvizjes që më pas është njohur si “Gra, Jetë, Liri".
SHIKONI EDHE: A mund të bëjë Irani kompromis për shaminë?Pas dy vjetëve, iranianët që kanë folur për Shërbimin iranian të Radios Evropa e Lirë, kanë thënë se lëvizja ka lënë gjurmë të mëdha në shoqëri, ka rritur dozën e kundërshtimit dhe ka rritur dozën e miqësisë te popullata.
“Është më mirë të pyetësh se çfarë nuk ka ndryshuar [prej protestave]”, ka thënë Farhad, një burrë që e ka mbështetur lëvizjen, identiteti i vërtetë i të cilit nuk është publikuar për shkaqe të sigurisë, ashtu sikurse edhe i të tjerëve me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë.
“Ne të gjithë e kemi gjetur guximin të jemi vetvetja”.
Kujdesi për njëri-tjetrin
Një prej pasojave më të mëdha të lëvizjes protestuese është rritja e bashkëpunimit mes njerëzve, pasi në të kaluarën, kalimtarët e kanë injoruar një grua që është marrë në pyetje pse nuk ka vendosur mbulesën për t’i fshehur flokët.
Sot, shumica e njerëzve u ndihmojnë grave kur përballen me aso situata.
“Njerëzit janë bërë më empatikë”, ka thënë Atousa, një grua që ka rikujtuar se si të huajt i kanë ndihmuar kur është përballur me autoritetet pse nuk e ka respektuar kodin e veshjes.
“Më ka ndodhur disa herë që dikush më ka paralajmëruar për hixhabin, dhe njerëzit, ose më janë bashkuar kur më është dashur të flas, ose më kanë dhënë kurajë”, ka thënë ajo.
Dhe Atousa nuk është gruaja e vetme që është dëshmitare e një miqësie të tillë.
“Njerëzit përleshen më pak në rrugë me njëri-tjetrin dhe tregojnë më shumë kujdes”, ka thënë Maryam.
Ajo i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në disa raste, të huajt e kanë paralajmëruar se nëpër rrugë ka prezencë policore, në mënyrë që ajo të shmangë zonën, ose edhe të vendosë mbulesën për t’i fshehur flokët.
SHIKONI EDHE: "Revolucioni është ende gjallë"“Nuk i nënshtrohemi më presionit”
Protestat më 2022 janë rritur me shpejtësi të madhe, janë shpërndarë në qytete e qyteza rreth Iranit, dhe në to kanë marrë pjesë burra e gra të të gjitha moshave, përfshirë adoleshentët.
Mirëpo, kjo lëvizje është shtypur brutalisht.
Grupi për të Drejta të Njeriut në Iran, me bazë në Oslo, ka vlerësuar që më shumë se 500 protestues janë vrarë prej forcave të sigurisë. Të paktën 10 burra janë ekzekutuar për përfshirje në sulme ndaj personelit të sigurisë gjatë protestave.
Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch, ka akuzuar autoritetet e Iranit, më 10 shtator, se po vazhdon “të heshtë dhe të ndëshkojë familjarët” e personave të vrarë në protesta, apo të atyre që janë burgosur për shkak të pjesëmarrjes në lëvizje.
SHIKONI EDHE: Rikthimi i Policisë së “moralit” pritet të hasë në rezistencën e iranianëveProtestat për gratë, jetën dhe lirinë, “kanë treguar se njerëzit e dinë saktësisht çfarë duan dhe nuk do t’i nënshtrohen më presionit”, ka thënë Fariba.
Ajo ka thënë se lëvizja është kthyer “në çështje të brendshme” dhe ka insistuar se “asnjë autoritet nuk mund t’i parandalojë pasojat e këtij transformimi”.
Atousa e ndan të njëjtin mendim, duke thënë se gratë tani dëgjojnë më pak komente të çuditshme në publik, sepse është bërë normale që të sfidohet kodi strikt i veshjes.
“Duket se [autoritetet] janë tërhequr prej disa vendeve që zakonisht janë strikte, sikurse aeroportet e brendshme”, ka thënë ajo.
Sipas Atousas, si në qytetet e vogla, ashtu edhe në ato më të mëdha, ka vende ku gratë, jo vetëm që e sfidojnë kodin e veshjes, duke refuzuar që të vendosin mbulesë në kokë, por ato edhe “vishen shumë bukur”.
Autoritetet, në anën tjetër, synojnë të ashpërsojnë rregullin e hixhabit.
Këtë e kanë bërë përmes një morie metodash, sikurse rikthimi i Policisë së "moralit" në rrugë, mbyllja e bizneseve, apo që grave që shkelin rregullin të mos u shiten ilaçe nëpër barnatore.
Mes tjerash, zyrtarët iranianë kanë inkurajuar civilët konservatorë që t’i paralajmërojnë verbalisht gratë që shohin pa hixhab në kokë. Për pasojë, në Iran janë raportuar disa rastet të dhunës, për shkak të këtij inkurajimi.
SHIKONI EDHE: Khamenei paralajmëron për shtypje të mëtejme të protestave në Iran“Udhëheqësia e ka fuqinë dhe kurdo që sheh se ekziston rritje e miqësisë, ajo tenton ta shkatërrojë atë”, ka thënë Maryam.
Duke e përshkruar atë që e ka cilësuar cikël të rezistencës dhe shtypjen që i është bërë asaj, Maryam ka thënë se beson që “pjesa pozitive e të sfiduarit do të zgjasë për kohë të gjatë”.
Ankth i vazhdueshëm
Pavarësisht sinjaleve për rritje të forcës në periudhë të presionit gjithnjë e në rritje, iranianët ende përballen me mungesë shprese dhe ankth, sipas banorëve më të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë.
“Ekziston ankth i madh shoqëror, i shkaktuar prej pasigurive se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, ka thënë Atousa.
“E vërej këtë afër meje, ankthi që ekziston për shkaqe ekonomike dhe shoqërore”.
Ajo ka thënë se ka parë rritje të shkallës së përdorimit të drogës dhe alkoolit në dy vjetët e fundit.
Sarah ka thënë se ekziston “mungesë stabiliteti” në gjithçka, sidomos kur është fjala për kushtet e jetesës.
Për ta vështirësuar edhe më shumë situatën, shumë persona tregojnë se miqtë dhe familja po largohen prej Iranit.
“Po humbim vazhdimisht, para, shokë dhe lidhjet që kemi krijuar”, ka thënë ajo.
“Kjo është shumë e dëmshme”.
Sarah ka thënë me shaka se pyetjet mes njëri-tjetrit se çfarë anti-depresantë po përdorin është kthyer tashmë në një formë përshëndetjeje.
Megjithatë, pavarësisht problemeve, njerëzit po vazhdojnë t’i sfidojnë autoritetet, sipas Mehranit, një tjetër burrë mbështetës, i cili ka parashikuar që shoqëria do të triumfojë.
“Rezistenca kundër përparimit në jetë ka rezultuar gjithmonë me dështim”, ka thënë ai.