Turistët largohen nga Santorini pas qindra tërmeteve

  • Reuters

Mijëra njerëz janë larguar nga ishulli Santorini i Greqisë, të mërkurën, pasi aktivitetet sizmike tronditën destinacionin më të famshëm turistik grek për të disatën ditë me radhë.

Një grua bart vajzën e saj mes turmës së njerëzve duke hipur në një traget për në Pire, pas rritjes së aktivitetit sizmik në ishullin e Santorinit, Greqi, 4 shkurt 2025.

Rreth 10.000 njerëz janë larguar me tragete dhe aeroplanë ditët e fundit pasi qindra tërmete të vogla u regjistruan në detin përreth, duke lëkundur ndërtesat, e duke ngritur pluhur në shkëmbinjtë e ishullit. Kjo rriti frikën për një tërmet të madh.

Një pjesë e ishullit të Santorinit, më 4 shkurt. Greqia është një nga vendet më të prekura nga tërmetet në Evropë pasi ndodhet në kufirin e pllakave tektonike afrikane dhe euroaziatike, ndërveprimi i vazhdueshëm i të cilave shkakton tërmete të shpeshta.

Njerëzit duke hipur në një traget për në Pire, gjatë rritjes së aktivitetit sizmik në ishullin e Santorinit.

Një pamje me dron tregon një pjesë të kraterit vullkanik, pas rritjes së aktivitetit sizmik në ishullin Santorini të Greqisë, 4 shkurt.

Popullsia e ishullit shtohet gjatë verës kur miliona turistë vizitojnë vilat tradicionale të ngjyrosura me të bardhë përgjatë kodrave të pjerrëta të tij. Në bazë të regjistrimit të vitit 2021 në Santorini jetojnë 15.000 banorë rezidentë, kështu që ka të ngjarë që disa mijëra njerëz të mbeten në ishull, duke qenë se nuk është sezon turistik.
 

Një zjarrfikës kalon pranë tendave të përdorura nga ekipet e urgjencës gjatë rritjes së aktivitetit sizmik në ishullin e Santorinit, më 4 shkurt.

Një burrë duke kaluar midis dyqaneve turistike të mbyllura në ishullin e Santorinit.

Autoritetet lokale kufizuan qasjen në disa zona me rrezik të lartë.

Njerëzit duke hipur në një traget për t'u larguar nga ishulli.

Autoritetet tashmë kanë vendosur masa sigurie, përfshirë ndalimin e ndërtimit, mbylljen e shkollave në Santorini dhe ishujt e afërt të Ios, Amorgos dhe Anafit. Ato, po ashtu, urdhëruan banorët dhe hotelet që t’i zbrazin pishinat e tyre.

Zyrtarët qeveritarë dhe sizmologët, pas një takimi, vunë në dukje rrezikun e lartë të rrëshqitjeve të dheut, duke përfshirë pjesë pranë portit kryesor të ishullit Athinios, i cili u shërben rreth 1.5 milion turistëve në vit.
 

“I gjithë mekanizmi shtetëror është aktivizuar... që të jemi gati për çdo mundësi me shpresën se gjërat do të përmirësohen dhe intensiteti i fenomenit do të ulet”, tha të mërkurën kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

Një kopje e statujës së Venusit shihet një kafene të mbyllur, gjatë rritjes së aktivitetit sizmik në ishullin e Santorinit, Greqi, 4 shkurt 2025.

Automjete që presin për të hipur në një traget për në Pire në ishullin e Santorinit, 4 shkurt.
Dy linja tragetesh nga porti i Pireut në Santorini dhe anasjelltas u anuluan të mërkurën për shkak të detit të trazuar.
 

Pluhuri ngrihet lart pas rrëshqitjeve të dheut gjatë aktivitetit të lartë sizmik, në ishullin Santorini, më 3 shkurt. Qindra tërmete janë regjistruar në pak minuta në detin midis ishujve vullkanikë Santorini dhe Amorgos, në Detin Egje, ditëve t fundit.

Qindra njerëz u larguan nga Santorini me tragete dhe aeroplanë për të qenë më të sigurt në Athinë, pasi qindra tërmete tronditën ishullin e famshëm turistik grek. Ky ishull gjatë verës vizitohet nga miliona turistë. (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)