Lehonat që kërkojnë ndihmë psikologjike stigmatizohen nga shoqëria

Fotografi ilustruese

Kërkimi i ndihmës psikologjike vazhdon të shihet si dobësi në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut, theksojnë mjekët psikiatër. Kjo, thonë ata, bën që shumë persona të mos kërkojnë ndihmë profesionale edhe në rastet kur ballafaqohen me probleme psikike.

Stojan Bajraktarov, mjek psikiatër, thotë se 20 për qind e grave gjatë muajve të shtatzënisë dhe periudhës së lehonisë rrezikojnë të preken nga problemet që kanë të bëjnë me shëndetin mendor. Këto shifra , sipas tij, flasin për nevojën e një zgjidhje sistemore për mbështetjen psikologjike të grave gjatë periudhës së shtatzënisë dhe lehonisë, sikurse edhe të atyre që ballafaqohen me ndryshime rrënjësore në jetë veçanërisht kur kanë të bëjnë me problemet shëndetësore.

Këto reagime pasojnë tentimin për vetëvrasje të një lehone 39-vjeçare, gjatë javës që po lëmë pas (2 gusht), e cila u hodh nga kati i parë i spitalit të gjinekologjisë pas lindjes së foshnjës. Për këtë grua nga Shkupi kjo lindje është e para.

Autoritet spitalore thanë se ajo është ankuar për shqetësime psikologjike, me ç`rast ka folur dhe me psikiatrin e klinikës. Por, edhe pas tri ditësh ajo sërish është ankuar për shqetësime psikologjike, ndërsa mjekët kujdestarë i kishin dhënë barna për qetësim. Kjo nuk ka qenë e mjaftueshme që ajo të heq dorë nga synimi për vetëvrasje. Aktualisht ajo kurohet nga plagët e rënda që ka marrë gjatë tentimit për vetëvrasje.

Your browser doesn’t support HTML5

Vuajtja e heshtur e grave pas lindjes

Gratë që kërkojnë ndihmë psikologjike vazhdojnë të stigmatizohen nga rrethi

Rritja e konsumimit të barnave kundër depresionit dhe rasti me lehonën që tentoi të vetëvritet, nxiti debate të shumta në opinionin maqedonas nëse personat që kanë probleme me shëndetin mendor arrijnë të marrin ndihmë profesionale me kohë.

Psikiatri Stojan Bajraktarov thotë për Radion Evropa e Lirë se gratë që kërkojnë ndihmë psikologjike vazhdojnë të stigmatizohen nga shoqëria. Ato kritikohen se nuk dinë të kujdesen për fëmijët e tyre dhe më e keqja, siç shprehet ai, se nuk arrijnë të bëhen nëna të mira.

“Nga rrethi ku jetojnë, shoqëria, këto gra paragjykohen se nuk dinë të kujdesen për fëmijët e tyre të porsalindur. Kjo bën që gratë të hezitojnë të flasin hapur për problemet që kanë lidhur me shëndetin mendor, veçanërisht ato që vijnë nga viset rurale dhe kjo bën që ato mos kërkojnë ndihmë shëndetësore”, thekson Bajaraktarov. Ai shton se se shumë pak gra bëjnë konsulta në departamentin e klinikës në Shkup, i cili kryesisht merret me shëndetin mendor të grave para dhe pas shtatzënisë.

Mungesa e mjekëve psikiatër shqiptarë, barrierë për pacientet

Problem më vete paraqet dhe numri shumë i vogël i mjekëve psikiatër shqiptarë. Në Klinikën e Psikiatrisë në Shkup ka të punësuar 19 mjekë psikiatër nga të cilët vetëm dy janë shqiptarë.

SHIKONI EDHE: Problemet e nënave të reja që neglizhohen pas lindjes

Edlira Destani, psikologe, thotë për REL-in se me shumë rëndësi është që gratë të trajtohen me kohë dhe në gjuhën që për to është më e njohur.

“Çdo person është individ më vete. Ndryshim që vjen në momentet e caktuara e nuk janë të përgatitur në mënyrën e duhur - apo ajo se te personi i caktuar mund të kemi pasur problematika të caktuara, të cilat nuk janë trajtuar ose janë trajtuar sipërfaqësisht - këto ndryshimet e përnjëhershme në jetën e tyre mundet të rindezin problematikat që kanë qenë të fjetura te vetja e tyre. Dhe, për këtë arsye këta persona, nëse nuk do të kenë mbështetje psikologjike, pasojat mund të jenë me çrregullime të mëdha psikologjike... Këto problematika mund të zbërthehen më së miri nga specialistë që flasin gjuhën e pacientit”, vlerëson Destani.

Aktivistet për të drejtat e grave thonë se duhet gjetur zgjidhje sistemore për trajtimin e shëndetit mendor që në fillim të shtatzënisë, nëse tek ato paraqiten shqetësime të caktuara dhe jo siç theksojnë ilaçi të kërkohet në internet.

Drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë, Viktoria Jovanovska, gjatë prezantimit të rastit me lehonën që tentoi vetëvrasjen, tha se shqyrtohet mundësia që lehonat të vizitohen nga mjekët psikiatër.