Edhe pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, Qeveria e Kosovës, përkatësisht ministritë përkatëse të saj, kanë vazhduar punën duke marrë edhe vendime për çështje të ndryshme.
Në Qeveri thonë se vendimet janë në harmoni me kompetencat dhe përgjegjësitë e një qeverie në dorëheqje. Por, këto vendime po konsiderohen si jo kushtetuese dhe jo legjitime nga njohës të çështjeve juridike dhe kushtetuese si dhe nga disa përfaqësues të shoqërisë civile.
SHIKONI EDHE: Haradinaj jep dorëheqje, ftohet nga Gjykata SpecialeKryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje, të premten më 19 korrik, pasi që kishte marrë ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit. Megjithatë, edhe Haradinaj është paraqitur sërish në zyrën e tij, sikurse edhe ministrat e kabinetit të tij, të cilët kanë vazhduar punën.
Për të premten, më 26 korrik, Haradinaj ka thirrur edhe mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës, ku në rend dite ka disa pika që do të shqyrtohen.
Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit të dorëhequr Ramush Haradinaj, tha për Radion Evropa e Lirë se të premten do të jetë një takim në Qeverinë e Kosovës ku do të diskutohen çështje apo vendime të cilat do të jenë në pajtim me Qeverinë në dorëheqje pa shkelur ligjet apo Kushtetutën.
“Kryeministri në dorëheqje, në bashkëpunim me strukturat e kabinetit dhe sekretarin e përjershëm kanë thënë se nëse ka kërkesa të cilat lidhen me ndonjë vendim që nuk janë të natyrës afatgjatë dhe që janë në pajtim me rregullat e vendimet e Qeverisë në dorëheqje, të futen në rend dite dhe të shqyrtohen sepse Qeveria ka obligim që të sigurojë vazhdimësinë e punëve që janë nisur më herët deri në dorëzimin apo caktimin e mandatarit të ri të Qeverisë”, tha Shatri.
SHIKONI EDHE: Pa vendimin e presidentit, shpërbërja e Kuvendit, ‘mision’ i vështirëSipas Shatrit, Qeveria në dorëheqje ka për obligim që të mos lejojë vakum institucional deri në formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Ndërkohë, profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një deklaratë për Radion Evropa e Lire thotë se me dorëheqjen e kryeministrit bie qeveria që, sipas tij, nënkupton se ajo më nuk është legjitime dhe se kjo Qeveri nuk ka të drejtë të marrë vendime, pasi që është e dorëhequr dhe nuk është fuqiplotë.
“Kushtetuta nuk i rregullon dhe përcakton gjërat në detaje, atë e bëjnë ligjet që në këtë rast do të duhej të ishte Ligji për Qeverinë dhe rregulloret e punës së saj e që nuk janë pasi që nuk i kanë bërë deri më tani asnjë qeveri, por ajo që është e përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës është se me dorëheqjen e kryeministrit, bie qeveria. Do të thotë në situatën që e kemi ne tani, qeveria është aty vetëm për të bërë punën administrative teknike, pasi që qeveria është e rënë, kryeministri është i dorëhequr dhe nuk mund të merr as qeveria në dorëheqje ndonjë vendim, siç ishin në mandatin e tyre të plotë kushtetues deri në ditën e dorëheqjes së kryeministrit”, thotë Baraliu.
Puna e institucioneve, përfshi edhe Qeverinë, monitorohet edhe nga organizata joqeveritare. Përfaqësues të shoqërisë civile i quajnë jolegjitime vendimet që po merren nga Qeveria e Kosovës, pas momentit të dorëheqjes së Haradinajt.
SHIKONI EDHE: Kosova përballë zgjedhjeve pa reformat e filluara para 8 vjetëveBekim Salihu nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP) thotë për Radion Evropa e Lirë se pas aktit të dorëheqjes së ofruar nga kryeministri Haradinaj, Qeveria dhe vetë ish-kryeministri nuk do të duhej të paraqiteshin as në vendin e punës.
“Konsideroj që Kushtetuta e Kosovës ofron sqarim të nevojshëm dhe të domosdoshëm në lidhje me dorëheqjen që ofron kryeministri dhe në lidhje me shkarkimin eventual që mund t’i bëjë Kuvendi Qeverisë. Në rastin e parë kur kryeministri i Kosovës jep dorëheqje, Kushtetuta e Kosovës në nenin 95 pika 5 e saktëson se qeveria konsiderohet në rënie dhe ajo qeveri nuk mund të ushtrojë mandatin e mëtutjeshëm derisa të ketë zgjedhje dhe derisa të vjen një qeveri tjetër në vend të saj”.
“Ndërkaq Kushtetuta e Kosovës praktikë tjetër po sugjeron në rastet kur Kuvendi i Kosovës e përdor votëbesimin në raport me Qeverinë, në ato raste qeveria konsiderohet në dorëheqje dhe ekzekutivi mund të marrë vendime deri në zgjedhjen e qeverisë së re”, thotë Salihu.
Ministria e Drejtësisë ditë më parë ka shpallur konkursin për zgjedhjen e noterëve të ri. Lidhur më këtë vendim të Ministrisë së Drejtësisë, ka reaguar Instituti i Kosovës për Drejtësi.
SHIKONI EDHE: Dy opsionet politike e kushtetuese pas dorëheqjes së HaradinajtPërmes një reagimi publik ky Institut a theksuar se pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, qeveritë në largim, përfshirë ministritë e linjës nuk kanë legjitimitet të marrin vendime për udhëheqjen e proceseve të rëndësishme, sikurse është rasti konkret me procesin e përzgjedhjes së noterëve të rinj.
“Ky parim duhet të vlejë edhe për vetë Zyrën e Kryeministrit dhe Ministritë e tjera të linjës, të cilat gjatë kohës kur Kosova udhëhiqet nga Qeveria në largim, nuk duhet të marrin vendime për të cilat nuk kanë legjitimitet por të bazohen vetëm në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të domosdoshme për ta mbajtur funksionale administratën shtetërore, që hyjnë në kuadër të fushë veprimtarive të tyre”, thuhet në reagimin e IKS-së.
Ndërkohë, Bekim Salihu nga GAP thekson se ka bazë ligjore që deputetët dhe instancat tjera të reagojnë në mënyrë që këto vendime të Qeverisë t’i dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.
“Ka baza që këto vendime të adresohen në Gjykatën Kushtetuese dhe unë besoj që Gjykata Kushtetuese do të jepte një verdikt të qartë lidhur më këtë duke sugjeruar që Qeveria e dorëhequr përkatësisht dorëheqja e kryeministrit, nënkupton pamundësinë e marrjes së vendimeve qofshin edhe ato të vogla”, thekson Salihu.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 95, Pika 5, thotë: "Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë".
Aktualisht, në kuadër të institucioneve të Kosovës nuk ka ndonjë nismë zyrtare se si do të veprohet pas dorëheqjes së Haradinajt. Opsionet që qarkullojnë ndërlidhen me dy opsione, atë të zgjedhjeve të parakohshme apo formimit të një qeverie të re deri në përfundimin e mandatit kushtetues të institucioneve aktuale.