LDK-ja kërkon marrëveshje të gjerë për presidentin

Fotografi nga arkivi.

Partia më e madhe e koalicionit aktual qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës, po kërkon një marrëveshje të gjerë, sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri të shtetit.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha për Radion Evropa e Lirë se në bisedimet për këtë çështje duhet të përfshihet i gjithë spektri politik.

“Para se të dalim me një emër të veçant, bashkë me partnerët e koalicionit qeveritar, duhet të arrijmë marrëveshjen politike për këtë çështje. LDK nuk lidhet me emra të përveçëm, në këtë fazë, por kërkon marrëveshje më të gjerë”, tha Haziri.

SHIKONI EDHE: Mustafa: Për zgjedhjen e presidentit të ri duhet të ketë marrëveshje

Haziri shtoi se pret nga partnerët e koalicionit që “të veprojnë konform interesave të shtetit dhe të tejkalojmë këtë sfidë”.

Më 5 nëntor, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës, pasi Dhomat e Specializuara në Hagë, konfirmuan aktakuzën ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

SHIKONI EDHE: Efektet e dorëheqjes së Thaçit

Po të njëjtën ditë, bazuar në kompetencat që ia jep Kushtetuta, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani mori postin e ushtrueses së detyrës së presidentit. Sipas Kushtetutës, Osmani, mund të qëndrojë në këtë post për gjashtë muaj, deri kur duhet të zgjidhet një president i ri.

Gjatë të hënës, edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, që vjen nga radhët e LDK-së, tha se së shpejti do të nisin bisedimet për postin e presidentit.

“Besoj për pak ditë do t’i fillojmë konsultimet me spektrin politik për ta zgjidhur këtë çështje, për të parë si do ta tejkalojmë këtë situatë. Rruga kushtetuese është e qartë, unë do të insistoj që të përcillen të gjitha hapat kushtetuese e të vendoset interesi publik para atij politik”, tha Hoti gjatë një konference për media në Prishtinë.

Opsioni i zgjedhjeve

Partnerët e koalicionit aktual qeverisës, ku bëjnë pjesë Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe partitë e komuniteteve joshumicë, janë shprehur në favor të zgjedhjes së presidentit të ri, në mënyrë që të evitohen zgjedhjet e reja.

Pro mbajtjes së zgjedhjeve është shprehur partia më e madhe në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje. Kreu i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, në një konferencë për media të mbajtur më 15 nëntor, kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe më pas të zgjidhet presidenti i ri i Republikës.

SHIKONI EDHE: Zgjedhja e presidentit të ri në "pauzë", nuk ka konsensus as për dialogun

Sikur Kurti, mendon edhe Nezir Kraki, profesor i shkencave politike në Université Paris-Est Créteil (UPEC). Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ai tha se “Kosova duhet urgjentisht t’i rilegjitimojë institucionet e saja shtetërore dhe qeverisëse”.

“Paqartësia aktuale nuk është në favor të asnjë partie përveç në favor të stagnimit dhe izolimit të Kosovës. Për më tepër, Kosovës i duhet edhe stabilitet politik në vitet që vijnë sepse në janar nis mandati i (presidentit të zgjedhur të SHBA-së) Joe Biden në Amerikë dhe ne nuk guxojmë ta humbim rastin unik që e kemi për rifaktorizimin e Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan”, tha Kraki.

“Nga ky këndvështrim, mendoj qe prodhimi i një presidenti me pazare politike jolegjitime, as që do duhej të përmendej. Le të shkohet në zgjedhje në mars apo prill dhe t’ia nisim një cikli normal, me qeveri e institucione normale”, shtoi ai.

SHIKONI EDHE: Thirrjet e ‘pasinqerta’ për unitet politik

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës, që është në opozitë, nuk është deklaruar lidhur me çështjen e presidentit, por zyrtarë të kësaj partie, kanë konfirmuar se gjatë kësaj jave do të mblidhet kryesia e partisë për të diskutuar për zhvillimet e fundit.

Kadri Veseli, që udhëhiqte me PDK-në, po ashtu ka dhënë dorëheqje nga udhëheqja e partisë, pasi ai, bën pjesë aktakuzën e përbashkët me Thaçin, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosjen Rexhep Selimin dhe ish-kreun e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin. Që të katër këta ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndodhen në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave që rëndojnë ndaj tyre.

Aktualisht, vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë me kandidatin e saj për president, përkatësisht kanë propozuar për këtë post, liderin e partisë, Ramush Haradinajn. Por, emri i Haradinajt për të parin e shtetit është kundërshtuar nga partnerja kryesore në koalicionin qeverisës, LDK-ja.

Si zgjidhet presidenti i Kosovës?

Sipas nenit 86 të Kushtetutës, deputetët e Kuvendit të Kosovës zgjedhin presidentin, për një mandat pesëvjeçar, përmes votimit të fshehtë.

Secili person që është mbi moshën 35-vjeçare, mund të kandidojë për president të vendit. Kandidatët, që të nominohen, paraprakisht duhet të mbledhin nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve të kuvendit.

Që një kandidat të zgjidhet president, i duhen dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Nëse asnjë kandidatë për president nuk merr këtë shumicë prej dy të tretash në dy votimet e para, atëherë mbahet votimi i tretë, ku marrin pjesë dy kandidatët për president që kanë marrë numrin më të lartë të votave në dy votimet paraprake, dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, bëhet president i Republikës së Kosovës.

Por, në rast se edhe në votimin e tretë një kandidat dështon të zgjidhet president, Kushtetuta parasheh që kuvendi duhet të shpërndahet dhe të shpallet zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.