Fituesi i Nobelit për Paqe dënohet me 10 vjet burg në Bjellorusi

Ales Bialiatski

Një gjykatë në Minsk e ka dënuar me 10 vjet burg laureatin bjellorus të Çmimit Nobel për Paqe, Ales Bialiatski për akuzat për kontrabandë dhe evazion fiskal.

Aktivistët e të drejtave të njeriut dhe qeveritë perëndimore e kanë quajtur dënimin “ndëshkim të motivuar politikisht” nga udhëheqësi autoritar Aleksandr Lukashenkas.

Një qendër e të drejtave të njeriut në Minsk tha se gjykata e qarkut dënoi gjithashtu për të njëjtin rast, aktivistët Valyantsin Stefanoviq dhe Uladzimer Labkoviq, respektivisht me nëntë vjet dhe shtatë vjet burgim.

SHIKONI EDHE: Bjellorusia miraton projektligjin për dënimin me vdekje për tradhti të lartë

Burrat, të cilët dolën në gjyq në fillim të janarit, kanë mohuar akuzat për sjelljen e parave në Bjellorusi për "veprimtari të paligjshme dhe financim".

Bialiatski, i cili ka luftuar për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Bjellorusi gjithë jetës së tij, u nderua me Çmimin Nobel të Paqes në vitin 2022.

Ai është themelues i Qendrës për të Drejtat e Njeriut “Vyasna”.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja vendos sanksione ndaj Bjellorusisë pas nisjes së gjyqit ndaj lideres opozitare

Organizata u shpall e jashtëligjshme nga Gjykata e Lartë e Bjellorusisë në tetor të vitit 2003 për rolin e saj në monitorimin e zgjedhjeve presidenciale të vendit të vitit 2001. Megjithatë, ajo ka vazhduar punën e saj si një OJQ e paregjistruar.

Në vitin 2022, Komiteti Norvegjez i Nobelit vendosi që Çmimin Nobel për Paqe ta ndajë për aktivistin e të drejtave të njeriut, Ales Bialiatski, nga Bjellorusia, organizatën ruse të të drejtave të njeriut, Memorial, si dhe organizatën ukrainase për të drejtat e njeriut, Qendra për Liritë Civile.