Iraniani ka luajtur rol kryesor në largimin e kurdëve nga Kirkuku

Qasem Soleimani

Një komandant i lartë ushtarak iranian ka udhëtuar në pjesën veriore të Irakut për të kërkuar nga liderët kurdë që të tërhiqen nga Kirkuku, në një lëvizje për të cilën zyrtarët kurdë thonë se ka luajtur një rol të rëndësishëm në lejimin e Qeverisë së Irakut, që me të shpejtë ta rimarrë kontrollin e këtij qyteti nga kurdët, gjatë kësaj jave.

Ligjvënësit kurdë thanë se gjeneralmajori, Qasem Soleimani, komandant i operacioneve të jashtme në Gardën Revolucionare të Iranit, është takuar me liderët e Unionit Patriotik të Kurdistanit (PUK), njëra prej dy partive kryesore politike kurde në Irak dhe aleate e Teheranit, në qytetin Sulejmania, një ditë para se kryeministri i Irakut, Haidar al-Abadi, i urdhëroi forcat e qeverisë së tij që të avancojnë në Kirkuk.

Agjencia Reuters ka raportuar se Soleimani u kishte thënë liderëve kurdë se forcat e tyre, Peshmerga, nuk do të jenë në gjendje t’u rezistojnë ushtarëve të Abadit, që e kanë mbështetjen nga perëndimi dhe fuqitë rajonale, Irani dhe Turqia.

Ai, po ashtu, u ka tërhequr vërejtjen kurdëve duke kërkuar nga ata që të largohen nga Kirkuku, ose rrezikojnë ta humbin mbështetjen e Teheranit.

Gjenerali iranian ua ka përkujtuar ligjvënësve kurdë goditjen e fuqishme të ish-presidentit të vdekur të Irakut, Saddam Hussein, kundër kryengritjes kurde në vitin 1991, i ka cituar Reuters liderët politikë kurdë.

“Vizita e Soleimanit ishte që t’u jepet rast i minutës së fundit që vendim marrësit të mos bëjnë gabim fatal”, ka thënë një ligjvënës kurd.

Komandantët e forcave kurde, Peshmerga, e patën akuzuar Iranin për orkestrimin e goditjes së qeverisë qendrore të Irakut, që udhëhiqet nga shiitët, për ta rimarrë kontrollin ndaj Kirkukut dhe hapësirave të tjera, që ishin nën kontroll të kurdëve, kur ata i kishin përzënë militantët e Shtetit Islamik nga rajoni, gjatë viteve të fundit.

Zyrtarët iranianë i kanë hedhur poshtë këto akuza.

Agjencia Reuters e ka cituar një zyrtar të afërt me presidentin e Iranit, Hassan Rohani, që ka thënë se lëvizja e liderëve kurdë për të mbajtur referendum për pavarësi, që ishte miratuar fuqishëm në rajonin e tyre autonom verior dhe territoret rreth Kirkukut, muajin e kaluar, kishin shkaktuar shqetësime në Teheran se Bagdadi përgjithmonë do ta humbte kontrollin ndaj fushave të naftës rreth Kirkukut.

Kryeministri irakian, Haidar al-Abadi, e ka hedhur poshtë referendumin për pavarësi të kurdëve duke e cilësuar si ilegal dhe e ka lansuar fushatën për rimarrjen e kontrollit në Kirkuk, që me të shpejtë ka rënë nën forcat e qeverisë së Irakut, më 16 të këtij muaji, pasi kishte pasur më pak rezistencë se sa pritej nga forcat Peshmerga.

Roli i gjeneralit Soleimani, në betejën për Kirkuk, është zbuluar derisa dy partitë politike kurde në pjesën veriore të Irakut, e kanë fajësuar njëra-tjetrën për humbjen shkatërruese të qytetit.

Gjenerali iranian është bërë mjaft i njohur për praninë e tij në Irak, shpeshherë është parë në televizion në linjat e para të frontit në betejat kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik, ku ai ka shërbyer si këshilltar për forcat paramilitare shiite irakiane, të cilat furnizohen me armë dhe financohen nga Teherani.

Gjatë vizitës së tij te liderët kurdë, Soleimani, qartazi e ka shfrytëzuar përçarjen ndërmjet dy partive kryesore kurde, për shkak të referendumit dhe krizës në Kirkuk. Kurdët e konsiderojnë qytetin Kirkuk se është në zemër të atdheut të tyre.

Para referendumit, Unioni Patriotik i Kurdistanit (PUK), e ka akuzuar palën rivale, Partinë Demokratike të Kurdistanit (KDP), se i ka vënë kurdët në rrezik nga intervenimi i ushtrisë së qeverisë në Bagdad, duke e shtyrë fuqishëm votimin për pavarësi.

Në atë kohë, gjenerali iranian, Qasem Soleimani, u kishte tërhequr vërejtjen liderëve të partisë PUK, se vota për ndarje do të ishte e rrezikshme. Teherani ka shqetësim se kjo do t’i inkurajonte kurdët në Iran për të kërkuar autonomi më të madhe.

Më 6 tetor, një javë pas referendumit, Soleimani mori pjesë në funeralin e liderit të partisë PUK, Jalal Talabani.

Zyrtarët iranianë i kanë thënë agjencisë Reuters se Soleimani ishte takuar me liderët e PUK-ut, pas varrimit të Talabanit, dhe kishte kërkuar nga ata të tërhiqen nga Kirkuku, duke theksuar se në këmbim për këtë tërheqje, Teherani do t’i mbrojë interesat e tyre.

Një burim i inteligjencës së Irakut i ka konfirmuar Reutersit se Soleimani ka luajtur rol në bindjen e liderëve të partisë PUK që të mos e rezistojnë avancimin e ushtrisë së qeverisë në Bagdad kah Kirkuku.

Partiaa tjetër, KDP, pas kësaj e ka akuzuar PUK-un për tradhti të çështjes kurde, duke kapitulluar ndaj Iranit dhe duke arritur marrëveshje për tërheqje.

Presidenti i rajonit Kurd, Masoud Barzani, i cili është lider i partisë KDP, e ka fajësuar PUK-un për disfatë të shpejtë në Kirkuk, duke thënë se evakuimi i qytetit ishte shkaktuar nga “disa njerëz në një parti të caktuar”.

Rrjedhimisht, partia PUK është akuzuar për “tradhti të madhe dhe historike”. Por, kjo parti kategorikisht i ka hedhur poshtë këto akuza.

Përgatiti: Fatmir Bujupi