Lajçaku thotë se Elektroseveri ka nënshkruar kontratë për energjinë me KEDS-in

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, njoftoi të shtunën se kompania serbe, Elektrosever, ka nënshkruar kontratë komerciale për energjinë me kompaninë kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS).

“Ky është hap i rëndësishëm drejt zbatimit të Udhërrëfyesit të Energjisë dhe drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Lajçak në rrjetin social X.

Ai nuk ka treguar ku dhe kur është nënshkruar kontrata në fjalë dhe nuk ka dhënë hollësi të tjera.

Elektrosever është pronë e kompanisë energjetike të Serbisë EPS (Elektroprivreda Srbije). Ajo e mori licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor.

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

SHIKONI EDHE: Çka parasheh udhërrëfyesi për energjinë?

As marrëveshja për udhërrëfyesin nuk ka gjetur zbatim deri tani. BE-ja e kishte pranuar se ka vonesa në zbatimin e tij, duke theksuar se përgjegjësinë përfundimtare për zbatimin e udhërrëfyesit e kanë Kosova dhe Serbia.

Me këtë marrëveshje synohet të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Qytetarët e këtyre komunave që nga viti 1999 nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar. Përgjatë viteve, borxhi i tyre është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.