Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak shprehet se zbardhja e fatit të më shumë se 1600 personave ende të zhdukur është urgjente.
“Zbulimi i fatit të më shumë se 1600 personave ende të zhdukur është urgjente. Të gjithë të dashurit – pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike – meritojnë mbyllje. Kjo është arsyeja pse unë vizitova Qendrën e Dokumentacionit, u takova me Qendrën Burimore të Personave të Zhdukur dhe mora pjesë në shfaqjen e “Uji dhe qirinjtë”, shkruan Lajçak në një postim në Twitter.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6,500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.
Gërmimet e fundit janë bërë muajin e kaluar në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi. Institucionet e Kosovës kanë bërë të ditur se në këtë lokacion janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve, të vrarë gjatës luftës.
SHIKONI EDHE: Babai i katër djemve të zhdukur refuzon ADN-në: “I pres të gjallë”Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe 1,639 persona, kryesisht shqiptarë.
Sot, në ditën e dytë të qendrimit në Kosovë, Lajçak takoi tre krerët e partive opozitare në vend. Fillimisht ai u takua me kryetarin e PDK-së, Lumir Abdixhiku, kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi.
Ai të hënën u takua me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa pas Kosovës, diplomati sllovak do ta vizitojë Serbinë.
Temë kryesore në këto takime ishte dialogu Kosovë-Serbi dhe opozitarët kërkuan që ky proces të përmbyllet me njohje reciproke.