Kuvendi i Kosovës, me 59 vota për dhe dy abestenime, ka miratuar rezolutën mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Seanca e jashtëzakonshme është mbajtur më kërkesë të 42 deputetëve, kryesisht të partive politike në pushtet Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK), Nismës Socialdemokrate dhe partisë në opozitë Partisë Socialdemokrate.
Në këtë rezolutë, thuhet se delegacioni shtetëror do të përbëhet nga përfaqësues politikë të votuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Delegacioni shtetëror sipas rezolutës, ka dy bashkëdrejtues që vijnë nga radhët e opozitës dhe pushtetit. Të dy bashkëdrejtuesit do të duhej të votoheshin nga Kuvendi, së bashku me delegacionin shtetëror.
Qeveria e Kosovës në muajin shtator ka propozuar që kryetari i partisë Nisma Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj të marrë rolin e kryesuesit të ekipit negociator, ndërkaq se fundmi është përfolur se Shpend Ahmeti mund të jetë bashkëkryesues i ekipit negociues, së bashku me Fatmir Limajn.
Në seancën që është mbajtur të shtunën nuk kanë marrë pjesë subjektet opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se kërkesa për seancë të jashtëzakonshme është përpjekje e kotë e qeverisë pa legjitimitet, që tash e ka marrë prapa edhe PSD-në.
"Draft-rezoluta është përpjekje e dështuar e PSD-së për të mbuluar koalicionin e fshehtë me koalicionin PAN. Duhet ta kenë të qartë të gjithë se dialogu nuk mund të zhvillohet nga ata që nuk kanë legjitimitet", ka shkruar Hoti në Facebook.
Kurse Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, ka thënë se Partia Socialdemokrate është bërë faktori kryesor i mbijetesës se Qeverisë se Kosovës, pasi sipas tij, pas dështimit të Kosovës për anëtarësim në Interpol dhe mosliberalizim të vizave, kjo qeveri është dashur të jap dorëheqje.
“Rënia e kësaj qeverie ka qenë shumë e sigurt, nuk ka pasur rrugë tjetër kjo qeveri vetëm të jap dorëheqje dhe të shkojë në shtëpi. Por, doli në skenë në momentet më kritike Partia Socialdemokrate për t'ju gjetur kësaj qeverie në ditët e saj më të vështira dhe është duke shpëtuar këtë qeveri nga rënia e saj e sigurt sepse po bëhet asistencë e kësaj qeverie me negociatat me Serbinë”, tha Konjufca.
SHIKONI EDHE: Haradinaj me mbështetje gjysmake për dialogunQeveria e Kosovës, për disa ditë kishte vazhduar përpjekjet për gjetjen e një konsensusi që do t’i siguronte mbështetjen e opozitës për të marrë rolin prijës në dialogun politik me Serbinë. Dialogu në këtë nivel, kryesisht është udhëhequr nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por, së fundmi, zyrtarët e Qeverisë i kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për t’i dhënë Qeverisë rol prijës në këtë proces.
Po ashtu, duke synuar përfaqësimin sa më të gjerë dhe të barabartë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës, sipas rezolutës, do që duhej që një përfaqësues të jetë nga shoqëria civile, si anëtar i rregullt i delegacionit shtetëror. Edhe ky anëtar, do të duhej të merrte votat nga Kuvendi i Kosovës, në kuadër të votimit të platformës për dialog. Delegacioni shtetëror është paraparë që të ketë 11 anëtarë.