Zllatan Ellek, kryetar i ri i Listës Serbe

Zllatan Ellek (në mes), kryetar i ri i Listës Serbe në Kosovë. Pamje nga kuvendi zgjedhor i Listës Serbe më 24 tetor 2023.

Zllatan Ellek është zgjedhur njëzëri kryetar i ri i Listës Serbe në Kosovë. Ellek është ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut.

Ai u zgjodh gjatë një votimi të hapur në seancën e Kuvendit të Listës Serbe të mbajtur të martën në Mitrovicën e Veriut, ku Lista Serbe zgjodhi edhe kryesinë e re. Lider i Listës Serbe deri më tani ishte Goran Rakiq.

*Video: Zgjedhja e kryetarit të ri të Listës Serbe

Your browser doesn’t support HTML5

Ellek, mjeku udhëheqës i tranzicionit të Listës Serbe

Ndërkaq, nënkryetarë të rinj të Listës Serbe janë zgjedhur Dragisha Milloviq, zëvendësdrejtor i spitalit në Mitrovicën e Veriut, Igor Zaporozhac, kryetar i Komunës paralele serbe në Mitrovicën e Veriut, Tanja Vujoviq, dekane e Fakultetit Ekonomik, Dalibor Jevtiq, kryetar i Komunës së Shtërpces, dhe Dragana Antonijeviq, ish-deputete në Kuvendin e Kosovës dhe drejtoreshë e Qendrës së Studentëve në Mitrovicën e Veriut.

Kjo parti njoftoi se Ellek gjatë takimit theksoi se në periudhën e ardhshme Lista Serbe do të jetë “strumbullari rreth të cilit do të mblidhet populli serb në Kosovë”, dhe se “të gjitha vendimet e rëndësishme politike do të merren gjithmonë në koordinim me Beogradin zyrtar dhe në interesin e mbarë popullit serb”.

Kush është Zllatan Ellek?

Në maj të vitit 2020, Qeveria e Serbisë emëroi specialistin e kirurgjisë pediatrike, Zllatan Ellek, ushtrues detyre të drejtorit të Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut. Ky institucion, sikurse institucionet tjera shëndetësore në mjediset e banuara me serbë në Kosovë, punon në sistemin serb.

Ndërkohë, Elleku mori pjesë në tubimet e organizuara nga Lista Serbe, duke përfshirë edhe atë të 6 nëntorit 2022, një ditë pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri.

Ai më pas në fjalimin e tij tha se “ne mbijetuam falë mbështetjes së lidershipit tonë, në radhë të parë presidentit Aleksandar Vuçiq”.

Së fundmi, ai ka theksuar se për shkak të “terrorit të Kurtit”, institucionet shëndetësore në zonat serbe në Kosovë po kërcënohen nga “katastrofa humanitare.

Ai ka thënë se autoritetet e Kosovës nuk lejojnë importin e barnave dhe materialeve mjekësore, gjë që Ministria e Shëndetësisë e Kosovës e ka mohuar.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Këto ndryshime në lidershipin e partisë po bëhen pas ngjarjeve në Banjskë afër Zveçanit në veri të Kosovës më 24 shtator, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Pesë ditë më vonë, nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, mori përgjegjësinë për këtë sulm dhe dha dorëheqjen nga ajo pozitë. Ai është duke u hetuar, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

SHIKONI EDHE: Lista Serbe para ndryshimeve, një parti e re e serbëve në horizont

Këto ndryshime pasojnë gatishmërinë e Listës Serbe, të shprehur më 13 tetor, për të marrë pjesë në zgjedhje nën organizimin e institucioneve të Kosovës në komunat në veri, pasi i kishte bojkotuar ato në prill të vitit 2023. Në atë kohë, në katër komuna në veri, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq ishin zgjedhur kryetarë shqiptarë.

Zgjedhjet e prillit u mbajtën pas tërheqjes kolektive të zyrtarëve serbë nga institucionet lokale dhe qendrore në nëntor të vitit 2022, për shkak të pakënaqësive me një vendim të Qeverisë së Kosovës që kishte të bënte me riregjistrimin e targave ilegale serbe në ato RKS-Republika e Kosovës.

Miodrag Marinkoviq nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Afirmative Sociale, beson se personat e rinj në Listën Serbe nuk do të thonë “praktikisht asgjë” dhe beson se kjo parti me siguri do të mbetet me ndikim për shkak të mbështetjes së Beogradit.

“Këtë mund ta shohim nga qeverisja e Partisë Progresive Serbe në Serbi, në të cilën njerëzit drejtues në parti zëvendësohen, sepse janë diskredituar nga një sërë aferash. Mendoj se po kjo po i ndodhë Listës Serbe. Është vetëm një tentativë ‘ribrendimi’ por jo një ndryshim thelbësor”, shprehet ai.

SHIKONI EDHE: Me zgjedhje, Lista Serbe synon "t'i sanojë dëmet" e Banjskës

Edhe politikani serb nga Graçanica, Branimir Stojanoviq, beson se çdo ndryshim brenda Listës Serbe do të jetë formal, gjegjësisht nuk do të sjellë “ndryshime thelbësore”.

“Prandaj është e rëndësishme që populli ynë të kuptojë se mjaft është me këtë formalitet... besoj se njerëzit tanë do ta vlerësojnë shumë mirë se të gjitha ndryshimet që do të ndodhin, janë thjesht ‘larje’ e një mekanizmi korruptiv, që është vështirë të ndryshohet”, tha Stojanoviq në një deklaratë për REL-in.

Stojanoviq dhe aktivisti politik nga veriu i Kosovës, Millija Bishevac, po formojnë një parti të re që do të jetë “alternativë e Listës Serbe”.

Bëhet fjalë për partinë Lëvizja Popullore Serbe, e cila, sipas Stojanoviqit, do të veprojë dhe do të “përfaqësojë interesat e serbëve në të gjitha mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë”.

Lista Serbe u formua me mbështetjen e Beogradit në vitin 2013 dhe që atëherë merr pjesë në të gjitha institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, ndërsa pothuajse ka eliminuar partitë tjera opozitare.

Një numër i madh i serbëve në Kosovë janë të punësuar në institucionet serbe, gjegjësisht ekzistenca e tyre varet nga pagat që ua siguron Beogradi.

SHIKONI EDHE: “Tundje” e Listës Serbe në veri të Kosovës