Kuvendi i Serbisë miratoi mëngjesin e së enjtes raportin për dialogun me Kosovën.
Për miratimin e dokumentit të titulluar “Raporti për procesin e negociatave me ‘institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes' në Prishtinë”, votuan 205 deputetë, ndërsa kundër ishin 57.
“Raporti është i shkruar në 50 faqe dhe liston aktivitetet në kuadër të përgatitjes dhe realizimit të negociatave”, përfshirë: Asociacionin e komunave me shumicë serbe, policinë, gjyqësorin, energjinë, odat ekonomike, transportin e mallrave të rrezikshme, si dhe të zhdukurit, që gjenden në kapitullin e fundit.
Debati në Kuvendin e Serbisë për këtë raport zgjati dy ditë.
Gjatë prezantimeve të tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
SHIKONI EDHE: Vuçiq: Serbia s'do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi KosovënAi po ashtu shtoi se duhet të gjendet një zgjidhje realiste për Kosovën dhe se politika reale nuk mund të bazohet në mite.
Partia më e madhe opozitare në Serbi, Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, nuk votoi për miratimin e raportit.
Zyrtari i lartë i kësaj partie, Borko Stefanoviq, u tha gazetarëve se raporti nuk përmban propozime për zgjidhjen e problemit të Kosovës.
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, gjatë prezantimit të tij tha se, Kosova është e pavarur nga Serbia.
SHIKONI EDHE: Kamberi përplaset me Vuçiqin për KosovënKosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Kosova thotë se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, por Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.