Me 69 vota për dhe asnjë kundër, Kuvendi i Maqedonisë ka ratifikuar marrëveshjen e arritur ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë.
Me këtë marrëveshje shteti emërtohet Maqedonia e Veriut, marrëveshje kjo që synon të mbyllë kontestin, i cili zgjat më shumë se dy dekada mes dy vendeve fqinje dhe ka mbajtur të bllokuara proceset integruese për Maqedoninë.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, pak para se të votohej ratifikimi, tha se dëshiron të ndajë një lajm të gëzueshëm, duke thënë se sapo është njoftuar se Këshilli i NATO-s ka votuar që si pikë e rendit të ditës në samitin e radhës, të jetë zgjerimi i Aleancës dhe dërgimi i ftesës për anëtarësimin e Maqedonisë.
Kryeministri Zaev, para deputetëve edhe të mërkurën ka theksuar se me këtë marrëveshje nuk preket identiteti i maqedonasve, ndërkohë që hapen shumë perspektiva për të ardhmen e shtetit në procesin e integrimeve.
“Me këtë zgjidhje të kontestit, jo vetëm që fitojmë edhe një mik, jo vetëm që fitojmë edhe një partner strategjik, jo vetëm që i hapim dyert e NATO-s dhe BE-së, jo vetëm që garantojmë stabilitetin dhe sigurinë e vendit, po njëherësh ajo që është më e rëndësishmja realizojmë aspiratat shekullore të të parëve tanë të të gjitha etnive që kanë luftuar për këtë Maqedoni tonën, që përfundimisht ajo të njihet si shtet nga e gjithë bota; shtet ku pjesa dominuese popullatës është ajo maqedonase e njohur nga e gjithë bota; shtet ku flitet gjuha maqedonase e njohur nga e gjithë bota”.
“Ky është një akt historik dhe me votimin në Parlament pas tri dekadash për këtë çështje shumë të rëndësishme do të mund të vendosin qytetarët me votën e tyre në referendum”, tha Zaev.
Në seancën plenare, në të cilën u miratua ratifikimi i Marrëveshjes Maqedoni-Greqi nuk ishin të pranishëm deputetët e partisë më të madhe maqedonase VMRO DPMNE-së . Ata të martën lëshuan Parlamentit duke theksuar se nuk dëshirojnë të jenë pjesë e procesit që ka tradhtuar interesat e Maqedonisë si shtet.
*Në videon më poshtë mund të shikoni protestat në Shkup kundër marrëveshjes për emrin
Your browser doesn’t support HTML5
Ndërkaq, gjatë ditës deputeti i VMRO DPMNE-së, Dragan Danev, tha se pushteti ka shkelur të gjitha procedurat për miratimin e Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes Maqedoni-Greqi dhe për këtë arsye VMRO DPMNE-ja do të kërkoj edhe interpretim Kushtetues nga Komisioni Venecias për marrëveshjen.
Por, deputeti i socialdemokratëve, Konstadin Konstadinov, tha se qytetarët deputetëve ua kanë dhënë besimin që t’i zgjidhin problemet dhe jo të ikin nga të njëjtat.
“Sot zgjidhim një çështje, e cila më shumë se dy dekada na ka tërhequr në fund. Para nesh kemi një marrëveshje që na garanton atë që ishim edhe më parë, maqedonas, po tani marrëveshja garanton që ky identitet të njihet nga e gjithë bota përfshirë këtu kombësinë maqedonase, gjuhën maqedonase”, u shpreh Konstadinov.
Nga ana tjetër, Artan Grubi nga Bashkimi Demokratik për Integrim tha se me këtë marrëveshje hapen shumë mundësi për të ardhmen e vendit.
Sipas tij, vota pro ratifikimit do të thotë heroizëm, sepse është votë për të ardhmen e Maqedonisë në strukturat euroatlantike.
Ndryshe, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, pas deklaratës së kryeministrit Zoran Zaev për mediat e vendit se Ivanov mund të përballet me masën e votëbesimit, në rast se kjo bëhet e domosdoshme, për shkak të kundërshtimit të vazhdueshëm të presidentit për të dekretuar marrëveshjen, i është kundërpërgjigjur se kryeministri Zaev mund ta fillojë procedurën e votëbesimit , duke theksuar se qëndrimi i tij lidhur me marrëveshjen Maqedoni-Greqi, mbetet i pandryshueshëm.
Gjatë seancës parlamentare ishin të pranishme forca të shumta të policisë speciale.
Seanca parlamentare të mërkurën kaloi qetë, ndërkohë që nuk u mbajtën protesta edhe pse ishin paralajmëruar nga organizata të ndryshme, të cilat disa ditë me radhë kanë protestuar kundër marrëveshjes Maqedoni-Greqi.