Kuvendi i Maqedonisë së V. miraton riorganizimin e Qeverisë

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut - Fotografi ilustruese nga arkivi.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të hënën pas mesnate ka votuar ndryshimet në Qeveri, respektivisht ka zgjedhur tre ministra nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, e cila është bërë pjesë e shumicës parlamentare.

Ministër i ri i Drejtësisë është zgjedhur Krenar Lloga, ministër i Shëndetësisë, Fatmir Mexheti, i Administratës Publike dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, dhe Kaja Shukova nga LSDM-ja është zgjedhur ministre e Ekologjisë.

Ndryshimet në Qeveri u votuan nga 65 deputetë nga 120 sa numëron Kuvendi.

Riorganizimi i Qeverisë së kryeministrit Dimitar Kovaçevski u bë pas vendimit të partive në pushtet, Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) për zgjerimin e shumicës parlamentar edhe për partinë Aleanca për Shqiptarët.

SHIKONI EDHE: Aleanca për Shqiptarët, pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut

Pas zgjedhjes së ministrave të rinj, kryeministri Kovaçevski tha se riorganizimi i Qeverisë nuk është i motivuar me emra dhe mbiemra, me interesa partiake, por me forcimin e pozitës së shtetit ndërkombëtarisht, mbrojtjen e interesave kombëtare dhe bashkimin e partive për orientimin evropian të vendit.

“Qëllimi ynë është zgjerimi i shumicës parlamentare për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut... Ne, të gjithë, e kemi për detyrë të ndërtojmë një shoqëri siç u ka hije demokracive moderne, një shoqëri të integruar në Bashkimin Evropian. Për një jetë më të mirë dhe më të begatë për të gjithë qytetarët tanë. Prandaj, derisa unë jam kryeministër në Qeveri, dera do të mbetet e hapur për çdo deputet, për çdo parti politike dhe individ, me të cilët do të krijojmë një Maqedoni evropiane, sepse qytetarët tanë meritojnë të jetojnë në Bashkimin Evropian”, deklaroi Kovaçevski.

Por, shumica është zgjeruar me vetëm një deputet, pasi nga Qeveria u largua partia Alternativa për shkak të mosmarrëveshjes për ndarjen e posteve.

Debati për zgjedhjen e ministrave të rinj ka nisur më 13 shkurt dhe ka zgjatur dy javë për shkak të bllokimeve me fjalime të gjata nga deputetët e VMRO DPMNE-së.

SHIKONI EDHE: Në Kuvendin maqedonas debat i ashpër për zgjerimin e Qeverisë

VMRO DPMNE-ja vlerëson se zgjerimi i shumicës është bërë për “shpëtimin e Qeverisë dhe jo për kursin evropian të vendit”.

Kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski, tha se mbetet në qëndrimin se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja e vetme për krizën, në të cilën ndodhet Maqedonia e Veriut.

“Ata duhet të pajtohen që tani, në pranverë, të mbajmë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe ta shpëtojmë popullin nga kjo qeverisje kriminale. Vetëm VMRO-ja do të mund ta nxjerrë vendin nga balta, në të cilën e ka zhytur ky pushtet i korruptuar. Por, ata nuk e bëjnë këtë pasi duan të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet për të vjedhur atë që ka mbetur për ta vjedhur”, tha Mickoski.

SHIKONI EDHE: Shkup: Kuvendi jofunksional, mbi 80 projektligje presin miratimin

Shumica parlamentare synon ndryshimin e Kushtetutës maqedonase për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, që është obligim që del nga marrëveshja me Sofjen për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve dhe zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Zëvendëskryeministri nga radhët e BDI-së, Artan Grubi, i bëri thirrje VMRO DPMNE-së, që t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese dhe pastaj të mbahen zgjedhjet, por kjo kërkesë është refuzuar nga opozita maqedonase.

SHIKONI EDHE:

Ndryshimet kushtetuese mbajnë peng skenën politikeRoth në Shkup: Ndryshimet kushtetuese shpejtojnë rrugën drejt BE-sëShkupi nis debatin për ndryshimet kushtetuese, opozita me kushtëzime

Grubi tha se beson që shumica do të arrijë t’i sigurojë votat nga partitë tjera, por edhe nga deputetë të VMRO-së, që, sipas tij, janë me orientim evropian.

“Ne po tentojmë të ndërtojmë një front për Evropë. Ne jemi në kontakte të përditshme me parti të tjera, përfshirë edhe elementët brenda VMRO-së që janë me orientim pro-evropian. Do të bëjmë një koalicion të tillë që do ta shtyjë vendin në Bashkimin Evropian, që nuk do të jetë peng i bllokadave destruktive të partive opozitare që po bëjnë gjithçka që vendi të mos mund të ecë para”, u shpreh Grubi.

Për të ndryshuar Kushtetutën nevojiten dy të tretat e votave, apo 80 nga 120 vota të deputetëve, ndërkohë shumica tani ka 65 deputetë.