Kuvendi miratoi emrin e ri, Maqedonia e Veriut

Your browser doesn’t support HTML5

Votimi në Kuvend për emrin Maqedonia e Veriut

Kuvendi i Maqedonisë me 81 vota “për”, ka miratuar ndryshimin e Kushtetutës për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjen e kontestit 27 - vjeçar të emrit.

Ndryshimet kushtetuese janë miratuar pas negociatave të gjata më opozitën shqiptare lidhur me disa amendamente të saj për pozitën e shqiptarëve në Kushtetutën.

Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, pas katër ditë negociatash janë marrë vesh që kërkesat e opozitës shqiptare të realizohen përmes ligjit kushtetues dhe jo përmes amendamenteve plotësuese.

SHIKONI EDHE: Zaev pranon disa nga kërkesat e opozitës shqiptare

Sipas marrëveshjes, çështja e shtetësisë në dokumentet personale për maqedonasit, do të jetë sipas formulimit maqedonas/ qytetar i Maqedonisë së Veriut, ndërsa për shqiptarët e Maqedonisë, qytetar i Maqedonisë së Veriut.

Opozita kishte kontestuar variantin e parë, pasi sipas saj, predikonte përkatësinë etnike të shqiptarëve si maqedonas.

Marrëveshja parashikon që me ligj të rregullohet edhe çështja e letërnjoftimet me çka do të shtohet një grafi e përkatësisë etnike. Për kujdesin ndaj diasporës pranohet amendamenti i Lëvizjes Besa që të përmenden të gjitha bashkësitë etnike të pranuara me Kushtetutë.

SHIKONI EDHE: Zidan: Ndryshimi i emrit nuk prek identitetin e maqedonasve

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, vendimin e Kuvendit e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm për të ardhmen vendit, pasi me këtë mbyllet kontesti 27 -vjeçar me Greqinë për çështjen e emrit, që ka mbajtur për aq kohë të bllokuar edhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Kuvendi i Maqedonisë që nga pavarësia ka sjellë vendime të shumta, vendime të mira për të mirën e vendit, por vendimi i sotëm është ndër më të rëndësishmit. Është vendim i rëndë, por vendimi më i mirë i mundshëm me Greqinë për të ardhmen e vendit. Edhe VMRO DPMNE-ja e di se vendim më i mirë nuk mund të arrihej. Ajo, gjithashtu, e di se pa një marrëveshje me Greqinë nuk mund të ketë as NATO, e as Bashkim Evropian”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Opozita nuk ka marrë pjesë në seancë, ndërsa drejtuesit e saj për tre ditë me radhë sa edhe kanë zgjatur bisedimet për sigurimin e votave, kanë protestuar para Kuvendit, duke e kritikuar marrëveshjen si “kapitulluese për kombin, identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase”.

SHIKONI EDHE: Zaev mbron Marrëveshjen me Greqinë, opozita proteston para Kuvendit

Nga VMRO DPMNE-ja, gjithashtu, e kanë akuzuar Qeverinë për forma të ndryshime të kërcënimeve ndaj deputetëve dhe të gjithë të tjerëve që në forma të ndryshme e kanë kundërshtuar marrëveshjen.

“Në lojë janë para, premtime për lirim nga përndjekja politike që në këmbim të mbështesin ndryshimet kushtetuese për ndërrimin e emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë. Maqedonia po bëhet shtet i okupuar nga njerëz në pushtet dhe po e ndryshojnë emrin me dhunë. Ish-zyrtarë të partisë sonë tash janë vënë nën presion që të punojnë për Zoran Zaevin, ka akuza të konstruktuara dhe raste gjyqësore”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-së, Naum Stoillkovski.

Me ndryshimin e Kushtetutës, zbatohet edhe marrëveshja për emrin me Greqinë e arritur më 17 qershor të vitit të kaluar në Prespë.

Që të jetë e plotfuqishme, Marrëveshja për emrin duhet të ratifikohet edhe nga Parlamenti i Greqisë. Marrëveshja parasheh ndërrimin e emrit të Maqedonisë, në Maqedonia e Veriut, maqedonasit e sotëm të mos kenë lidhshmëri me maqedonasit antik, ndërsa gjuha maqedonase të pranohet se i takon grupit të gjuhëve sllave.

Kryeministri grek, Aleksis Tspiras, e ka uruar kryeministrin Zaev për vendimin e Kuvendit të Maqedonisë, duke e vlerësuar si hap shumë të rëndësishëm në zbatimin e marrëveshjes së arritur.

Votimin në Kuvend e kanë përshëndetur edhe komisionarja e Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme si dhe komisionari për Zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Hahn.

“Shpresojmë se ky vendim historik do të krijojë dinamikë pozitive dhe përparimin e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Hahn në Twitter.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se “NATO e përkrahë fuqishëm implementimin e Marrëveshjes, që paraqet kontribut për stabilitet dhe prosperitet në rajon”.

Vendimi i Kuvendit është mirëpritur edhe nga ambasadori amerikan, Jess Baily, si vendim historik për të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë.

“Shtetet e Bashkuara e mirëpresin vendimin e përfaqësuesve tuaj të zgjedhur. Kur proces do të përfundojë me ratifikimin nga Greqia, kjo Marrëveshje përfundimisht do të zgjidhë mosmarrëveshjen e emrit, e cila ka penguar qytetarët e Maqedonisë që të realizojnë synimet e tyre për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian".

Ambasadori amerikan në Maqedoni, Jess Bailey

"Unë uroj liderët tuaj në Qeveri dhe Parlament për vizionin, guximin dhe këmbënguljen e tyre për të kërkuar një zgjidhje duke vënë në vend të parë interesat strategjikë afatgjate të Maqedonisë. Ne shpresojmë të mirëpresim Republikën e Maqedonisë së Veriut si anëtare e 30-të e NATO-s dhe të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me ju në promovimin e stabilitetit dhe prosperitetit këtu dhe në të gjithë rajonin”, thuhet në reagimin e ambasadorit amerikan, Jess Baily.

Kontesti mes dy vendeve daton që nga viti 1991, kur Maqedonia kishte shpallur pavarësinë, ndërsa Greqia kishte bllokuar integrimin e saj në NATO dhe BE, me arsyetimin se fqinji i saj mund të ketë pretendime ndaj territorit të saj verior që, po ashtu, quhet Maqedoni.

Marrëveshja e arritur mundëson anëtarësimin e saj në NATO me emrin Maqedonia e Veriut si dhe nisjen bisedime për anëtarësim në BE, në qershor të këtij viti.