Kuvendi i Serbisë e miraton Deklaratën e “Kuvendit gjithëserb”

Kuvendi i Serbisë. (Fotografi nga arkivi)

Kuvendi i Serbisë e ka miratuar të mërkurën të ashtuquajturën Deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb, e cila doli nga një “Kuvend gjithëserb” muajin e kaluar në Beograd.

Deklarata - e miratuar më 8 qershor në Beograd në një takim të përbashkët të Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës - përbëhet nga 49 pika dhe e përmend edhe Kosovën.

Aty thuhet se populli serb "përbën një entitet të vetëm" dhe se, ndonëse “përgjatë historisë, populli serb ka jetuar në shumë shtete me emra të ndryshëm, ai ka të drejtë të ruajë traditën e tij të pasur”.

Në takimin e 8 qershorit në Beograd ishte insistuar në, siç është thënë, “përdorimin e emrit të plotë të provincës jugore serbe - Kosova dhe Metohija” - si referencë për shtetin e Kosovës.

Agjenci serbe e lajmeve Beta, raporton se Deklarata u miratua me 139 vota pro dhe u duartrokit nga përfaqësuesit e Qeverisë serbe. Nëntë deputetë votuan kundër, ndërsa asnjë nuk abstenoi.

SHIKONI EDHE: Asambleja e Republikës Sërpska e miraton Deklaratën e “Kuvendit gjithëserb”

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, nuk ishte i pranishëm gjatë votimit, pavarësisht se ardhja e tij në Kuvendin e Serbisë për këtë ishte paraljamëruar. Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, kishte marrë pjesë në seancën e Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska kur kjo e fundit e votoi Deklarata në Banja Llukë në fillim të këtij muaji, raportoi portali N1.

Miratimi i kësaj Deklarate nga Republika Sërpska u dënua nga anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, si dhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë.

Çfarë thuhet për Kosovën?

Përveç pjesës për emrin, në Deklaratë përmendet edhe që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, dhe që Kuvendi gjithëserb mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Mes tjerash përmendet që serbët në Kosovë, si dhe gjithë qytetarët tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet të mbrojnë manastiret, kisha, pronat private, varrezat dhe objektet tjera të rrezikuara.

Nënshkruesit e Deklaratës i kanë dënuar edhe ato që i kanë konsideruar kushte të patolerueshme të jetesës së serbëve në Kosovë, të krijuara prej autoriteteve të Prishtinës, por pa përmendur ndonjë fakt konkret.

SHIKONI EDHE: Pse është problematike Deklarata e "Kuvendit gjithëserb"?

Në një pikë tjetër është përmendur edhe nevoja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si mënyra e vetme e qëndrueshme për zgjidhje të problemit.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës.

Dy vendet dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.