Ukrainasit e ngujuar në gjendje të dëshpëruar në Bahmutin e rrethuar
Qyteti strategjik i Bahmutit është ndodhur mes sulmeve ruse me artileri që nga maji. Përderisa shumë prej banorëve të tij kanë ikur, disa të tjerë, si Rimma Tsykalenko, 65-vjeçare, që lëviz me karrocë, nuk kanë mundur të largohen.
Banorët e Bahmutit, dikur vendbanim i 70.000 personave, po përballen me mungesë gazi, rryme dhe uji, teksa zhurmat e artilerisë dhe shpërthimeve po jehojnë nëpër rrënojat e shoshitura nga predhat. Teksa dimri po afrohet, banorët po pyesin veten se si do të mbijetojnë, edhe nëse lufta i kursen.
Për ta marrë pensionin e saj të përmuajshëm, Tsykalenko duhet të varet nga ndihma e fqinjëve të saj, për të kaluar nëpër një urë të shkatërruar, edhe teksa afër shpërthen zjarr artilerie.
Një tjetër banor i ngujuar është Mykola Pylypenko, 66-vjeçar, ish-punëtor i një fabrike mobiliesh, i cili është diagnostikuar me kancer në mushkëri pesë muaj më parë. Teksa fëmijët dhe nipërit e tij kanë ikur, për të po kujdeset bashkëshortja e tij, Oleksandra, 67-vjeçare, e cila i gjendet për çdo gjë.
Teksa Oleksandra përkëdhel ballin e bashkëshortit të saj, një tenxhere mbledh ujin që rrjedh nga çatia e tyre, e dëmtuar nga bombardimet.
“Ata më kanë thënë të përgatitem për vete. Kaq. Çfarë mund të thoshin tjetër? Unë dal jashtë dhe qaj, që ai të mos më shohë”, është shprehur Oleksandra për AFP-në.
Për të pasuruar vaktet, Oleksandra mbledh rrush dhe arra. Por, ajo brengoset për mungesën e gjërave elementare ushqimore nga të cilat ata zakonisht varen për të kapërcyer dimrin – patate dhe qepë – dhe të shërbimeve si rryma dhe uji i pijshëm.
“Dru zjarri. Si mund t’i siguroj? Nuk ka mundësi t’i sjell këtu. Unë nuk kam para për të paguar dërgesën”, ka thënë Oleksandra.
Më 30 korrik, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, urdhëroi evakuimin e detyrueshëm të banorëve në rajonin lindor të Donjeckut. Megjithatë, shumë banorë refuzuan të largohen.
Organizatat joqeveritare ende po përpiqen t’i evakuojnë ata që nuk e kanë zbatuar urdhrin e Zelenskyt. Ivan Solovyankov (nuk është në foto), 90-vjeçar, pensionist që jeton në këtë banesë me macen e tij, në fund u bind të largohet.
Një pjesëtar i një OJQ-je duke i ndihmuar Solovyankovit, pasi ai pranoi të largohej nga banesa e tij.
Përderisa disa pajtohen të largohen, të tjerë janë ende refuzues.
“Çfarëdo që ndodh, ndodh. Unë shkoj në shtrat dhe fle. Nuk fshihem në bodrum. Vendi i fqinjit tim është goditur nga bombardimet. Fjetorja e mysafirëve, tualeti, tarraca”, ka thënë një 66-vjeçar i quajtur Gennady, teksa kalonte nëpër një urë të shkatërruar.