Logoja e NIS-it mund të shihet në të paktën tri pika furnizuese me karburante në veri të Kosovës.
Industria e Naftës e Serbisë (NIS) rifilloi zyrtarisht punën e saj në komunat në veri, ku jeton shumica e popullsisë serbe, në dhjetor të vitit 2016, por menjëherë pas kësaj u shfaq në opinion se ato pompa janë në pronësi të biznesmenëve nga veriu i Kosovës.
Më 16 korrik 2024, Inspektorati i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës mbylli një pompë në Mitrovicën e Veriut dhe dy në Zubin Potok, pasi nuk kishin licencë për punë. Të gjitha pompat e mbyllura kishin logon NIS. Ato pompa të benzinës, kryesisht si trashëgimi e Jugopetrolit, janë nën kontrollin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
SHIKONI EDHE: Mbyllen tri pompa të karburanteve në veri që punuan pa licencëNë ditën e mbylljes së tyre, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se, NIS Petrol, “damar i Gazprom-it rus”, nuk ka vend në Kosovë.
NIS është në pronësi të shumicës së Gazpromneft të Rusisë dhe kompanisë së saj ombrellë Gazprom. Autoritetet e Kosovës e konsideruan të paligjshme rinisjen e punës së NIS Petrol në veri në vitin 2016 dhe vlerësuan se ishte një përpjekje për të zgjeruar ndikimin rus në Kosovë.
Megjithatë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Qeverisë së Kosovës (MINT), në përgjigjen e saj për Radion Evropa e Lirë, ka konfirmuar se pompat janë në pronësi të tre biznesmenëve nga veriu i Kosovës: Sllavoljub Vukoviq, pronar i kompanisë MCG-GR, Ratko Pavloviq, pronar i kompanisë SEKOS, dhe Milan Bozhoviq, pronar i kompanisë Min Prom.
“Secili operator ekonomik duhet të plotësojë kriteret për aplikim në përputhje me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës dhe nëse i plotëson kriteret do t'i jepet licencë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Aty shtohet se këto pika karburanti, sipas faturave të paraqitura, derivatet e naftës i kanë blerë përmes subjekteve afariste kosovare.
Kush janë pronarët e pompave të mbyllura?
Kompanitë MCG-GR, SEKOS dhe Min Prom, janë të regjistruara në sistemin kosovar dhe atë serb, dhe aktiviteti i tyre kryesor është kryesisht tregtia me shumicë dhe pakicë e lëndëve djegëse të ngurta, të lëngëta dhe të gazta dhe produkteve të ngjashme.
Mirëpo, kur bëhet fjalë për kompaninë MCG-GR, pronarët janë të ndryshëm, përkatësisht ai kosovar është Slavoljub Vukoviq dhe ai serb Zoran Galak. Të gjitha të dhënat e tjera, si aktiviteti, adresa, etj., përputhen.
Në korrik të vitit 2016, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Milan Bozhoviqit, Dragomir Bozhoviqit dhe Zheljko Milashinoviqit, me dyshimin se derivatet i kanë blerë në Serbi dhe i kanë importuar ilegalisht në Kosovë nëpërmjet kompanisë Min Prom. Ata akuzohen se kanë marrë pjesë me vetëdije në aktivitete kriminale në periudhën 2009-2011 duke importuar derivate në Kosovë në vlerë rreth tre milionë euro përmes rrugëve ilegale dhe duke i shkaktuar dëm Doganës së Kosovës mbi një milion euro.
SHIKONI EDHE: Shmangia nga tatimet i kushton buxhetit mbi 700 milionë euroMegjithatë, në shtator të vitit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë e hodhi poshtë aktakuzën për shkak të parashkrimit të rastit.
Në anën tjetër, kompania SEKOS në pronësi të Ratko Pavloviqit ka qenë duke furnizuar me karburant pothuajse të gjitha institucionet serbe në Kosovë, si në veri ashtu edhe në jug të lumit Ibër.
Një gjë e tillë mund të shihet në Portalin e Prokurimit Publik në Serbi. Për shembull, në maj të këtij viti, kompania SEKOS ka pranuar mbi 12 milionë dinarë ose 102.500 euro nga Qendra Spitalore Klinike në Graçanicë për furnizim me derivate për 12 muaj.
Në këtë periudhë, ka marrë rreth 3 milionë dinarë ose rreth 25.600 euro nga Autoriteti i Përkohshëm Komunal në Mitrovicë të Veriut, i cili punon nën sistemin serb, për blerjen e naftës për “nevojat e Ngrohtores së qytetit”.
Kjo kompani përmendet edhe në raportet financiare të Listës Serbe, si furnizuesi kryesor i derivateve për nevojat e kësaj partie më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit. REL-i ka tentuar të kontaktojë me biznesmenët e përmendur, por pa rezultat.
A ka lidhje NIS-i me pikat e karburanteve në veri?
Në vitin 2016, në hapjen e pompës NIS në Mitrovicën e Veriut, mori pjesë edhe drejtori i atëhershëm për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Ai më pas tha se është dëshirë e Beogradit zyrtar që “NIS, si brend i njohur kombëtar, të jetë prezent edhe këtu (në veri të Kosovës), për të pushtuar tregje të reja”.
“Kompania jonë e naftës shet dhe furnizon me karburant jo vetëm pompat e saj në Kosovë dhe Serbi, por edhe shumë të tjera”, tha Gjuriq në atë kohë.
Mirëpo, deputeti i atëhershëm i pavarur i Kuvendit të Serbisë nga veriu i Kosovës, Slavisha Ristiq, deklaroi se opinioni po mashtrohet dhe se pompa NIS është në pronësi të kompanisë private SEKOS, e cila është “nën kontrollin e Partisë Përparimtare Serbe”.
Radio Evropa e Lirë i drejtoi një pyetje Industrisë së Naftës të Serbisë, duke pyetur nëse pompat e karburanteve në veri të Kosovës janë në pronësi të tyre dhe nëse ato i furnizojnë me derivate. Mirëpo, përgjigje nuk ka kthyer deri në kohën kur u publikua ky tekst.
Në faqen e internetit të NIS-it mund të shihet se nuk i kanë stacionet e tyre në Kosovë.
Një nga pronarët e pompave të mbyllura i tha REL-it në një intervistë jozyrtare se qiranë ia kishte paguar Industrisë Serbe të Naftës dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Ndryshe, sipas strategjisë së NIS-it, ajo kompani ka të drejtë të japë me qira pronën e saj të paluajtshme, e cila nuk është në plan për shfrytëzim të mëtutjeshëm.
Pronë e kujt janë 'pompat NIS' në veri të Kosovës?
Agjencia Kosovare e Privatizimit më 16 korrik kishte njoftuar se pompat e karburanteve nën kontrollin e tyre janë mbyllur, dhe se kanë pasur marrëveshje qiraje me pronarët, por se do të ndërpriten për shkak se këta biznesmenë nuk kanë licencë nga institucionet kompetente të Kosovës. Këto janë kryesisht pika karburanti që dikur ishin në pronësi të kompanisë së naftës Jugopetrol.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur këtë Agjenci se kur kanë pasur marrëveshje qiraje me pronarët e pompave të mbyllura të benzinës dhe nëse ato marrëveshje janë lidhur ndonjëherë me NIS-in. Mirëpo, deri në publikimin e këtij teksti nuk është përgjigjur.
As Beogradi zyrtar dhe as përfaqësuesit e Listës Serbe nuk kanë reaguar për mbylljen e pompave të benzinës në veri të Kosovës.