Reuters
Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara e ka shkarkuar për herë të parë në histori kryetarin e saj, Kevin McCarthy, përmes një votimi historik të mosbesimit.
Në këtë tekst mund ta kuptoni se çfarë ndodh tash.
A ekziston pozita e ushtruesit të detyrës?
Menjëherë pas votimit të së martës, me 216 vota për shkarkim dhe 210 kundër, përfaqësuesi i republikanëve Patrick McHenry, aleat i McCarthyt, është emëruar si ushtrues detyre për një periudhë shumë të shkurtër.
SHIKONI EDHE: Shkarkohet kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve përmes një votimi historikPozita e ushtruesit të detyrës është e zbehtë, sipas një udhëzimi mbi rregullat dhe procedurat e këtij trupi.
Aty përmendet se ky person “mund të ushtrojë autoritet të funksionit të kryetarit, siç mund të jetë e nevojshme dhe e përshtatshme, në pritje të zgjedhjes së një kryetari të ri”.
Ndonëse zyrtari në këtë pozitë e përcakton agjendën e përgjithshme të legjislativit në Dhomën e Përfaqësuesve, i takon kryetarit të saj që ta caktojë datën e debateve specifike për projektligje dhe votime.
Përfaqësuesi i republikanëve, Kelly Armstrong, u ka thënë gazetarëve se detyra kryesore e McHenryt do të jetë “gjetja e një kryetari të ri”.
Çdo veprim tjetër, sipas tij, do ta nxisë edhe shkarkimin e McHenryt.
A mund të ngrihet puna e legjislativit?
Derisa të emërohet një kryetar i ri, ka pak mundësi që të çohen përpara projektligjet për financim të Qeverisë, ani pse ligjvënësit e kanë 17 nëntorin si afat të fundit për ta marrë një vendim, ose në të kundërtën përballen me mbyllje të pjesshme të Qeverisë.
SHIKONI EDHE: Çfarë nënkupton mbyllja e Qeverisë amerikane?Ligjvënësit republikanë kanë thënë se atyre do t’iu duhet të paktën një javë për ta zgjedhur kryetarin e ri.
Betejat për miratim të projektligjeve dhe zemërimi për dështimin e McCarthyt për t’i çuar përpara planet e konservatorëve të linjës së ashpër, e ka nxitur veprimin e republikanit Matt Gaetz për ta nisur mocionin për ta shkarkuar atë.
Çfarë janë duke bërë republikanët dhe demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve?
Të 221 republikanët dhe 212 demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë diskutuar privatisht për hapat e radhës – si në aspektin politik, ashtu edhe në atë legjislativ.
Secila parti pritet të tentojë që ta çojë përpara një emër për këtë pozitë.
Kjo duket të jetë punë e lehtë për demokratët, të cilët njëzëri e përmendin emrin e liderit të tyre në këtë dhomë, Hakeem Jeffries, i cili ka garuar kundër McCarthyt dhe kandidatëve të tjerë në janar.
Republikanët, për shkak të ndasive të tyre të thella - sidomos në mesin e konservatorëve të linjës së ashpër, të cilët janë duke kërkuar shkurtime të mëdha në shpenzime - e kanë të vështirë që ta gjejnë një gjuhë të përbashkët.
McHenry e ka një përparësi pasi është ushtrues detyre. Ende nuk dihet qartë nëse ai do të kandidojë edhe zyrtarisht.
Ajo çfarë dihet është se McCarthy ka thënë se nuk do të garojë më.
Ky është një moment i pashembullt në histori për Dhomën e Përfaqësuesve, pasi emërimi i kryetarit të saj bëhet çdo dy vjet, sa herë të ketë zgjedhje të Kongresit.
Kush mund të garojë për këtë pozitë?
Sipas Kushtetuës amerikane, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve nuk duhet të jetë anëtar i Kongresit.
Për këtë arsye, disa republikanë e kanë përmendur edhe emrin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për këtë pozitë, ndonëse ai është duke garuar edhe për një mandat presidencial dhe ka thënë se nuk është i interesuar për diçka tjetër.