Kush janë dy kandidatët për president të Çekisë?

Ish-kryeministri çek, Andrej Babish (majtas) dhe gjenerali i pensionuar i NATO-s, Petr Pavel.

AFP

Rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Republikën Çeke nis të premten, teksa në garë janë ish-gjenerali i NATO-s, Petr Pavel dhe ish-kryeministri Andrej Babish, një miliarder popullist.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 14:00 deri të nesërmen në orar të njëjtë.

Të drejtë vote kanë 8.3 milionë banorë.

Në Republikën Çeke, roli i presidentit është ceremonial, mirëpo presidenti i jep mandat qeverisë dhe është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura.

Rezultatet e zgjedhjeve pritet të bëhen publike në pasditen e së shtunës.

Tema dominuese në zgjedhje ka qenë lufta e Rusisë në Ukrainë.

Kush janë dy kandidatët?

Petr Pavel

Gjenerali i pensionuar, Petr Pavel, i cili udhëheq në sondazhe për zgjedhjet presidenciale të Republikës Çeke, është hero i luftës dhe i ka pasion motoçikletat.

Me një bagazh të pasur ushtarak, 61-vjeçari është zotuar se, nëse zgjidhet president, ai do të “rikthejë rregullin” në Republikën Çeke – vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s –me 10.5 milionë banorë.

Kandidati për president të Çekisë, Petr Pavel dhe gruaja e tij Eva Pavlova, më 27 janar 2023.

“Nuk mund ta injoroj faktin që njerëzit secilën herë e më shumë e ndiejnë kaosin dhe pasiguritë. Që shteti në njëfarë mënyre është ndalur së funksionuari”, ka thënë Pavel gjatë fushatës së tij.

“Ne duhet ta ndryshojmë këtë gjë. Ne duhet të luajmë sipas rregullave, të cilat duhet të jenë për secilin njësoj. Neve na duhet një pastrim i përgjithshëm”, ka shtuar ai.

I lindur më 1 nëntor, 1962, Pavel ka kryer gjimnazin dhe universitetin ushtarak në ish-Çekosllovaki, e cila atëbotë është udhëhequr nga komunistët e përkrahur prej Moskës.

Ai i është bashkuar Partisë Komuniste dhe ka nisur të rritet shpejt në radhët e ushtrisë.

Kritikët e tij besojnë se ai ka studiuar për t’u bërë agjent i inteligjencës ushtarake për ushtrinë komuniste.

“Unë kam lindur në një familje ku anëtarësia në parti është konsideruar normale”, ka thënë Pavel në faqen e tij zyrtare.

“Nuk kam pasur informacione të mjaftueshme dhe përvojë për të vlerësuar natyrën kriminale të regjimit. Tani e di se ka qenë gabim”.

Kur ka rënë regjimi komunist më 1989, Pavel ka hequr dorë nga anëtarësia në parti dhe ka vazhduar kursin për inteligjencë.

Si parashutist elitar, emrit i Pavelit ka nisur të njihet kur ka ndihmuar në lirimin e trupave franceze nga një zonë serbo-kroate e luftës më 1993.

SHIKONI EDHE: Rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Çeki

“Së bashku më të fortë”

Më 1999, pasi Republika Çeke i është bashkuar NATO-s, Pavel ka kaluar tre vjet në komandën rajonale të aleancës veri-atlantike në Holandë.

Më vonë, ai ka fituar diplomë masteri për marrëdhënie ndërkombëtare në Kolegjin King të Londrës, dhe më pas është emëruar shef i shtabit të ushtrisë çeke.

Më 2015, ai është emëruar udhëheqës i Komitetit ushtarak të NATO-s.

Me një gjoks plot dekorime – përfshirë “Legjioni i Meritave” të Shteteve të Bashkuara dhe Croix de Guerre të Francës për trimëri, Pavel është pensionuar nga ushtria më 2018.

Kur ka shpërthyer pandemia e koronavirusit, Pavel e ka themeluar iniciativën “Së bashku më të fortë”, me qëllim që t’iu ofrohet ndihmë atyre që kanë nevojë.

Gruaja e Pavelit, Eva, është po ashtu ushtare.

Ai ka dy djem nga martesa e kaluar dhe gruaja e tij ka një vajzë.

Pavelit i pëlqejnë udhëtimet, skijimi, fotografia dhe leximi në kohën e lirë, mirëpo pasioni i tij më i madh është motoçiklizmi.

“Për 33 vjet, unë i kam shërbyer lëvizjes demokratike dhe pro-perëndimore të vendit tonë”, ka thënë Pavel.

Andrej Babish

Ligjvënësi miliarder dhe ish-kryeministri Andrej Babish, ka një të kaluar komuniste dhe marrëdhënie të diskutueshme biznesore.

Ai është kritikuar edhe gjatë fushatës zgjedhore, pasi ka thënë se nuk do të angazhonte trupa ushtarake nëse do të sulmoheshin vendet anëtare të NATO-s, Polonia dhe ato të Baltikut – Letonia, Lituania dhe Estonia.

Më vonë ai e ka tërhequr këtë deklaratë, mirëpo jo para se të kritikohej nga shtetet në fjalë dhe të shtonte dyshimet në mesin e votuesve.

Kandidati për president të Çekisë, Andrej Babis.

Babish, i cili ka lindur në Sllovakinë fqinje, një kohë pati insistuar se nuk do të garonte kurrë për president duke thënë se “nuk do ta shijoja këtë punë”.

Ai është sipërmarrësi i pestë më i pasur në Çeki, sipas revistës amerikane Forbes, dhe e ka bërë rritur pasurinë e tij si pronar i kompanisë Agrofert.

Babish e ka nisur karrierën e tij politike si kryetar i lëvizjes ANO (në shqip PO).

Më 2013, ka hyrë në Parlament.

Që atëherë ndaj tij ka pasur dyshime për shkelje të ligjeve të Çekisë dhe Bashkimit Evropian për konflikt interesi, duke marrë parasysh rolet e tij si biznesmen dhe politikan.

Më herët gjatë këtij muaji, një gjykatë në Pragë e ka liruar nga akuzat për mashtrime me subvencionet e BE-së në vlerë të 2 milionë eurove.

Ai gjithmonë i ka hedhur poshtë akuzat, duke i konsideruar si “fushatë shpifëse”.

Ai është gjithashtu i përfshirë në padi, pasi ka dyshime se në të kaluarën ka qenë i përfshirë si agjent i policisë sekrete StB në vitet 1980, kur ish-Çekosllovakia është udhëhequr nga komunistët.

Dosjet e StB-së e kanë nënshkrimin e tij nën nofkën “Bures”, një mbiemër i zakonshëm, por Babish këmbëngul që nuk ka dorë në atë punë.

Miliarder

Babish ka shërbyer si ministër i Financave në periudhën 2014-2017, mirëpo më pas është shkarkuar pasi disa incizime kanë treguar se ai ka ndikuar në punën e gazetarëve që kanë punuar për gazetat e tij.

Më vonë, ai është kthyer në pushtet si kryeministër, duke udhëhequr Qeverinë deri më 2021, kur partia e tij ka humbur në zgjedhjet kundrejt koalicionit qeveritar të qendrës së djathtë, Së bashku.

Që atëherë, ai është deputet.

SHIKONI EDHE: Çeki: Partia populliste e Babisit ka shënuar fitore bindëse në zgjedhje

Ish-komunisti, që dikur ka ndarë kulaçe për të joshur votuesit, tani ka një pasuri prej 4.3 miliardë dollarëve.

Falë babait të tij - për të cilin Babish pretendon se ka qenë “bashkë-themelues i tregtisë së jashtme në Sllovaki” gjatë komunizmit - ish-kryeministri çek e ka kryer shkollën fillore në Paris dhe të mesmen në Gjenevë.

Ai ka thënë se etikën për punë dhe aftësitë për të fituar para, i ka zotëruar në moshë të hershme.

“Kam punuar prej kur kam qenë 15-vjeçar: kam bartur qumësht, kam shkarkuar mallra, kam bërë dekorime, kam ndërtuar shtëpi pushimesh – të gjitha për të fituar para”, ka deklaruar Babish.

Pasi ka diplomuar për ekonomi, ai ka shkuar hapave të babait të tij dhe ka punuar si agjent shitjesh në Marok.

Kur Revolucioni i Kadifenjtë e ka rrëzuar regjimin totalitar më 1989, Babish është kthyer në shtëpi, ka mbetur pa punë, dhe shtetin e ka gjetur të ndarë në dysh.

Ai ka zgjedhur të marrë shtetësinë çeke dhe jo atë të vendlindjes, Sllovakisë.

Në vitin 2000, Babish e ka blerë Agrofertin në një marrëveshje të dyshimtë, sipas kritikëve, të cilët besojnë se ai e ka blerë kompaninë shumë lirë.

I lindur më 2 shtator 1954 në Bratislavë, Babish është i martuar me Monikën, me të cilën ka dy fëmijë.

Ai i ka edhe dy fëmijë tjerë me ish-gruan e tij.

Babish ka luajtur dikur tenis dhe volejboll, mirëpo tani listën e pasioneve nuk e ka shumë të gjatë.

“Kur kam kohë të lirë tentoj të jem me familjen, të fle gjumë apo të mos bëj asgjë”.

Përgatiti: Krenare Cubolli