Kush ishte Princi Philip? 

Princi Philip bashkë me dy princat e familjes mbretërore britanike William dhe Harry si dhe bashkëshortet e tyre, Kate dhe Meghan. (Foto nga arkivi)

Princi Philip, burri i mbretëreshës britanike Elizabeth dhe një figurë kryesore e familjes mbretërore britanike për gati shtatë dekada, vdiq në moshën 99-vjeçare, njoftoi të premten Pallati Bukinghem.

Duka i Edinburgut, siç njihej zyrtarisht, ishte pranë gruas së tij gjatë gjithë mbretërimit të saj 69-vjeçar - më të gjatit në historinë britanike.

Gjatë kësaj kohe, ai fitoi reputacionin e një personaliteti me qëndrim të ashpër, por që bënte edhe gafa të rastit.

“Me pikëllim të thellë, Madhëria e Saj, Mbretëresha, ka njoftuar për vdekjen e burrit të saj të dashur, Lartmadhërisë së Tij, Princit Philip, Dukës së Edinburgut”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Pallati Bukinghem.

“Lartmadhëria e Tij vdiq paqësisht këtë mëngjes në Kështjellën Uindsor”, thuhet në njoftim.

SHIKONI EDHE: Vdiq princi Philip, duka i Edinburgut

Duke qenë një princ grek, Philip u martua me princeshën Elizabeth në vitin 1947, pesë vjet para se ajo të bëhej mbretëreshë.

Philip luajti një rol kryesor në modernizimin e monarkisë në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas mureve të Pallatit Bukinghem, ai ishte figura kryesore që mbretëresha mund t'i drejtohej dhe t’i besonte.

“Ai, thjesht, ka qenë forca ime gjatë gjithë këtyre viteve”, ka thënë Elizabeth në një homazh të rrallë personal për princin, të bërë me rastin e 50-vjetorit të martesës së tyre, më 1997.

Philip kaloi katër javë në spital, në fillim të këtij viti, për trajtim të një infeksioni dhe për të kryer një procedurë në zemër, por u kthye në Kështjellën Uindsor në fillim të marsit. Ai vdiq vetëm dy muaj para se t’i mbushte 100 vjet.

SHIKONI EDHE: Princi Philip shtrihet në spital

Ish-oficeri i marinës kishte pranuar se e kishte të vështirë të hiqte dorë nga karriera ushtarake që e donte dhe të merrte detyrën si bashkëshort i mbretëreshës, për të cilën nuk kishte ndonjë rol të qartë kushtetues.

“Ai ndihmoi në orientimin e familjes mbretërore dhe të monarkisë në atë mënyrë që të mbetej një institucion i padiskutueshëm jetik, për balancën dhe lumturinë e jetës sonë kombëtare”, tha kryeministri britanik, Boris Johnson.

Kreu i familjes

Në privatësi, princi konsiderohej si kreu i padiskutueshëm i familjes së tij, por protokolli e detyronte të kalonte jetën e tij publike një hap pas gruas së tij.

“Nuk kishte asnjë precedent. Nëse kam pyetur dikë: “çfarë prisni të bëj”, ata do të më shikonin, nuk do të kishin ide. Askush nuk kishte shumë ide”, ka thënë princi në një intervistë me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij.

Pas më shumë se 22,000 paraqitjesh, Philip u pensionua nga jeta publike në gusht të vitit 2017, ndonëse vazhdoi të shfaqej herë pas here në angazhime zyrtare.

Paraqitja e tij e fundit ishte korrikun e kaluar, në një ceremoni ushtarake në Kështjellën Uindsor, që është një pallat mbretëror në perëndim të Londrës.

Ai dhe mbretëresha u transferuan atje gjatë bllokimeve nga pandemia COVID-19.

“Në rastet kur e takoja, gjithmonë mahnitesha nga gëzimi i tij i dukshëm për jetën, nga mendja e tij kërkuese dhe nga aftësia e tij për të komunikuar me njerëz nga çdo sfond”, tha kryepeshkopi i qytetit Kantërbëri, Justin Welby.

Mbretëresha pa princin

Mbretëresha, e cila është 94 vjeçe, mori fronin në vitin 1952.

Çifti, që ishin kushërinj të tretë, u martua më 20 nëntor 1947.

Ata kanë katër fëmijë: princin Charles, trashëgimtarin e fronit, Princeshën Anne dhe princat Andrew dhe Edward.

Vdekja e Princit Phlip, njeriut më të besueshëm të Mbretëreshës, ngre pyetjen nëse ajo do të marrë në konsideratë heqjen dorë nga froni, por komentuesit mbretërorë thonë se ka pak ose aspak shanse që kjo të ndodhë.

Në vitet e fundit, Mbretëresha Elizabeth ka zvogëluar angazhimet zyrtare dhe i ka transferuar shumë detyra mbretërore dhe patronime mbi Princin Charles, djalin e tij William dhe anëtarët e tjerë më të vjetër të familjes mbretërore. Por, Mbretëresha vazhdon të kryejë detyrat më simbolike të shtetit të monarkisë, siç është hapja e parlamentit.

SHIKONI EDHE: Princi Charles do të jetë kreu i radhës i Komonuelthit

Disa vëzhgues të familjes mbretërore kanë thënë se mungesa e princit Philip në angazhimet zyrtare dhe përkeqësimi i shëndetit të tij në vitet e fundit kanë luajtur rol në disa kriza që kanë përfshirë monarkinë, siç ishte vendimi i djalit të princit Charles, Harry, dhe gruas së tij, Meghan, për të hequr dorë nga rolet mbretërore.

“Mësimi kryesor që kemi mësuar është se toleranca është përbërësi thelbësor i çdo martese të lumtur”, ka thënë Philip në një fjalim më 1997.

SHIKONI EDHE: Mbretëresha Elizabeth dhe Princi Philip e festojnë 70 vjetorin e martesës

“Mund të mos jetë aq shumë e rëndësishme kur gjërat shkojnë mirë, por është absolutisht jetësore kur gjërat vështirësohen”, ka thënë ai.

Princi Philip ka lindur në ishullin grek të Korfuzit më 10 qershor 1921.

Flamujt në Pallatin Bukinghem dhe në ndërtesat qeveritare në të gjithë Britaninë e Madhe, të premten u ulën në gjysmështizë.

Përgatiti: Valona Tela