Kush është Susie Wiles, shefja e re e stafit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë?

Susie Wiles.

Associated Press

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, e ka emëruar Susie Wiles shefe të stafit të tij në Shtëpinë e Bardhë, duke e bërë atë gruan e parë që mban këtë rol me ndikim.

Me këtë emërim, strategia politike dhe veterania nga Florida, Wiles kalon nga një rol kryesisht në prapaskenë si bashkëudhëheqëse e fushatës, në pozitën më të lartë si këshilltare e ngushtë dhe besnike e presidentit.

Ajo ka përvojë politike prej disa dekadash, kryesisht në Florida. Ajo është vajza e lojtarit të NFL-së dhe komentuesit sportiv, Pat Summerall, dhe ka punuar në zyrën e kongresistit Jack Kemp në Uashington në vitet 1970.

Më pas, ajo punoi në fushatën e Ronald Reaganit dhe në Shtëpinë e Bardhë si planifikuese. Pas kësaj, Wiles u zhvendos në Florida, ku punoi si këshilltare për dy kryetarë bashkie të Xheksonvillit dhe punoi për kongresisten Tillie Fowler. Ajo u përfshi edhe në disa fushata politike në Florida, ku u vlerësua roli i saj në ndihmën që i dha biznesmenit Rick Scott për të fituar postin e guvernatorit.

Pas një periudhe të shkurtër si udhëheqëse e fushatës presidenciale të guvernatorit të Utahut, Jon Huntsman, më 2012, ajo udhëhoqi fushatën e Trumpit në Florida më 2016, duke siguruar fitoren që e ndihmoi Trumpin të arrinte në Shtëpinë e Bardhë.

SHIKONI EDHE: Donald Trump hyn në histori me kthimin në Shtëpinë e Bardhë

Wiles ka ndihmuar, po ashtu, guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, të zgjidhet në këtë post, por pas një kohe marrëdhëniet ndërmjet tyre u prishën.

Më 2020, DeSantis kërkoi që fushata e Trumpit të ndërpriste bashkëpunimin me Wilesin, por ajo u rikthye si drejtuesja kryesore e fushatës së Trumpit kundër DeSantisit për nominimin presidencial, duke e mposhtur atë.

Me angazhimin në fushatën e tretë të Trumpit, që në fazat e para, Wiles u bë ndër zyrtarët e lartë të paktë që i ka mbijetuar një fushate të plotë të Trumpit. Ajo ishte pjesë e ekipit që ndërtoi një organizim edhe më profesional për kandidimin e tij të tretë për Shtëpinë e Bardhë, edhe pse Trump shpesh thyente rregullat e vendosura.

Pas emërimit të Susie Wiles si shefe e stafit, senatori Marco Rubio e përshëndeti këtë vendim, duke theksuar se presidenti kishte zgjedhur një “grua të fortë dhe inteligjente”.

Donald Trump dhe Susie Wiles duke shikuar një ndeshje futbolli.

Strategjia e heshtur dhe roli i rëndësishëm

Wiles shmang vëmendjen e mediave, por është e gatshme të përfshihet në punë të përditshme, madje edhe në detyra të vogla që zakonisht kryhen nga vullnetarët.

Në një fjalim në Milwaukee, Trump e quajti atë “të jashtëzakonshme” dhe e vlerësoi si një nga njerëzit kyç në organizimin e fushatës së tij.

A do të mund të qëndrojë në këtë pozitë?

Gjatë mandatit të parë, Trump i ndërronte shpesh shefat e stafit. Por, tani ai beson se ka mësuar nga gabimet dhe ka zgjedhur “njerëzit më të mirë” për administratën e tij të dytë.

Wiles pritet të ketë ndikim të madh në ekuilibrimin e prioriteteve politike dhe të politikave, duke qenë porta kryesore për qasje ndaj presidentit. Veprimtaria e saj pritet të jetë ndër më të ndjekurat në këtë rol kyç të administratës së Trumpit.

Përgatiti: Uridije Lajçi