Kush është Naim Qassem, lideri i ri i Hezbollahut?

Naim Qassem.

Reuters

Zëvendësi i sekretarit të përgjithshëm të Hezbollahut, Naim Qassem, i zgjedhur në krye të grupit të armatosur libanez të martën, ishte prej vitesh figurë e lartë e kësaj lëvizjeje, që mbështetet nga Irani.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, cilësohet si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vënë në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë politike.

Duke folur para perdeve nga një vend i panjohur, më 8 tetor, Qassem tha se konflikti mes Hezbollahut dhe Izraelit “është një luftë se kush qan i pari” dhe “Hezbollahu nuk do të qajë i pari”.

SHIKONI EDHE: Hezbollahu e emëron Naim Qassemin si pasues të liderit të vrarë, Nasrallah

Aftësitë e grupit, sipas tij, mbeten të paprekura, pavarësisht “goditjeve të dhimbshme” nga Izraeli.

Por, ai shtoi se grupi mbështet përpjekjet e kryetarit të Parlamentit, Nabih Berri - aleat i Hezbollahut - për të siguruar një armëpushim.

Për herë të parë, nuk u përmend marrëveshja për armëpushimin në Gazë si parakusht për ndalimin e sulmeve të Hezbollahut kundër Izraelit.

Fjalimi i tij 30-minutësh në televizion erdhi vetëm disa ditë pasi figura e lartë e Hezbollahut, Hashem Safieddine, mendohej se ishte shënjestër e një sulmi izraelit dhe 11 ditë pas vrasjes së sekretarit të përgjithshëm të Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah.

Vrasja e Safieddinet u konfirmua nga Hezbollahu më 23 tetor.

SHIKONI EDHE: Izraeli thotë se e ka vrarë zyrtarin që pritej të bëhej udhëheqës i Hezbollahut

Qassem u emërua zëvendësshef në vitin 1991 nga sekretari i përgjithshëm i atëhershëm i grupit të armatosur, Abbas al-Musawi, i cili u vra nga një sulm izraelit vitin pasues.

Qassem mbeti në rolin e tij kur Nasrallah u bë lider dhe, prej kohësh, ishte një nga zëdhënësit kryesorë të Hezbollahut, duke dhënë intervista për media të huaja.

Fjalimi televiziv i Qassemit më 8 tetor ishte i dyti i tij që kur armiqësitë midis Izraelit dhe Hezbollahut u intensifikuan në muajin shtator.

Ai ishte anëtari i parë i udhëheqjes së lartë të Hezbollahut që bëri komente televizive pas vrasjes së Nasrallahut në një sulm ajror izraelit në periferitë jugore të Bejrutit, më 27 shtator.

Duke folur më 30 shtator, Qassem tha se Hezbollahu do ta zgjedhë pasardhësin e sekretarit të përgjithshëm të vrarë “në rastin e parë” dhe do të vazhdojë ta luftojë Izraelin në solidaritet me palestinezët.

“Ajo që ne po bëjmë është minimumi... Ne e dimë se beteja mund të jetë e gjatë”, tha ai në fjalimin prej 19 minutash.

Naim Qassem duke folur gjatë një tubimi.

I lindur në vitin 1953 në Bejrut, në një familje nga jugu i Libanit, aktivizmi politik i Qassemit filloi me lëvizjen shiite libaneze, Amal.

Ai u largua nga grupi në vitin 1979, pas Revolucionit Islamik të Iranit, i cili formësoi mendimin politik të shumë aktivistëve të rinj shiitë libanezë.

Qassem mori pjesë në takimet që çuan në formimin e Hezbollahut, i cili u krijua me mbështetjen e Gardës Revolucionare të Iranit, në përgjigje të pushtimit izraelit të Libanit në vitin 1982.

Ai ishte koordinator i përgjithshëm i fushatave zgjedhore parlamentare të Hezbollahut, që kur grupi garoi për herë të parë në zgjedhje më 1992.

Në vitin 2005, ai shkroi një histori të Hezbollahut nga një “vështrim i brendshëm” i organizatës.

Qassem mban një çallmë të bardhë, ndryshe nga Nasrallah dhe Safieddine, çallmat e zeza të të cilëve nxirrnin në pah statusin e tyre si pasardhës të Profetit Muhamed.

Përgatiti: Valona Tela