Riorganizim gjeopolitik në zemër të Azisë

Herat, Afganistan

Tërheqja kaotike e forcave të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s nga Afganistani në muajin gusht dhe kolapsi i rrufeshëm i Qeverisë së njohur ndërkombëtarisht në Kabul, kanë shënuar fundin e pranisë gati 20-vjeçare të Perëndimit në vendin e shkatërruar nga lufta.

Tani, kur talibanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit, fuqi të tjera që kanë rënë në konflikt me Perëndimin ose që konsiderohen si rivale të tij, janë duke garuar për të mbushur boshllëkun.

Ka pasur parashikime se riorganizimi gjeopolitik mund ta transformojë rajonin e Azisë Qendrore dhe Jugore në një qendër anti-perëndimore.

Disa analistë thonë se Rusia, Kina, Pakistani dhe Irani mund të bashkohen në kapitullin tjetër të Lojës së Madhe - një referencë kjo për luftën e shekullit 19 midis fuqive të mëdha për dominim në Afganistan.

Por, të tjerë argumentojnë se Moska, Pekini, Islamabadi dhe Teherani janë thjesht duke çuar përpara interesat e tyre në rendin e ri gjeopolitik.

SHIKONI EDHE: Kamikazët mbeten pjesë kyçe e strategjisë talibane

Zhvendosja në Azinë Lindore

Uashingtoni e ka bërë të qartë qysh në administratën e presidentit Barack Obama se do të tërhiqet nga Afganistani, për ta zhvendosur fokusin e tij në Kinë.

James Reardon-Anderson, profesor i historisë në Shkollën e Shërbimit të Jashtëm të Universitetit Georgetown, ka parashikuar atëbotë se tërheqja do të çonte në zhdukjen e ndikimit të SHBA-së në Azinë Qendrore.

“Mund të ketë një Lojë të re të Madhe në Azinë Qendrore, por do të ketë shumë më pak rëndësi për Shtetet e Bashkuara sesa Loja e re e Madhe në Paqësorin Perëndimor dhe në ujërat e Azisë Lindore”, ka thënë Reardon-Anderson për Radion Evropa e Lirë në vitin 2013.

SHIKONI EDHE: Çfarë ndikimi kanë SHBA-ja dhe aleatët mbi talibanët në Afganistan?

Duke mbrojtur vendimin për tërheqjen e ushtrisë amerikane nga Afganistani, presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se “bota po ndryshon” dhe se Uashingtoni është “i angazhuar në një konkurrencë serioze me Kinën”.

“Kina dhe Rusia nuk do të donin asgjë më shumë sesa ta shihnin SHBA-në të zhytur në Afganistan edhe një dekadë tjetër”, ka thënë Biden më 31 gusht.

Por, disa vëzhgues thonë se tërheqja nga Afganistani mund t’i komplikojë planet e Bidenit për t’iu kundërvënë Kinës.

Ka pasur gjithashtu kritika nga aleatët dhe ligjvënësit amerikanë se me largimin nga Afganistani, Biden e ka rritur kërcënimin nga terrorizmi.

Talibanët, të cilët janë ende aleatë me rrjetin terrorist Al Kaida, po luftojnë me grupin militant rival të Shtetit Islamik (IS).

Vëzhguesit thonë se IS-i është forcuar nga tërheqja e Perëndimit nga Afganistani.

Në një takim me diplomatët e NATO-s në Bruksel, në muajin nëntor, përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së për Afganistanin, Thomas West, ka folur për rritjen e fuqive të tjera në rajon, pas tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani.

West ka thënë se është “e domosdoshme” që aleatët e NATO-s të punojnë “me rajonin - me Rusinë, Kinën, Pakistanin, Iranin dhe shtetet e Azisë Qendrore - për interesin tonë të përbashkët, për një Afganistan të qëndrueshëm, që nuk paraqet kërcënim për fqinjët e tij, është në paqe me veten dhe respekton të drejtat e njeriut, të drejtat e grave, të drejtat e pakicave, e kështu me radhë”.

SHIKONI EDHE: Gjenerali amerikan: Talibanët janë të pamëshirshëm

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në NATO vazhdojnë të kërkojnë nga talibanët që t’i respektojnë të drejtat e njeriut dhe të drejtat e grave, por thirrje të tilla nuk bëhen nga Moska, Pekini apo Islamabadi.

Irani, i cili sundohet nga shiitët, ka thënë se nuk do ta njohë zyrtarisht Qeverinë talibane, derisa udhëheqja e tij sunite të krijojë një kabinet “gjithëpërfshirës” në Kabul, që përfshin anëtarë shiitë të komunitetit Hazara të Afganistanit.

Qasjet e ndryshme në zhvillim, operacione kundër terrorizmit dhe luftë kundër trafikut të drogës e vështirësojnë bashkëpunimin mes Perëndimit dhe lojtarëve të rinj rajonalë.

SHIKONI EDHE: Sa i rrezikshëm është Shteti Islamik i Afganistanit?

Planet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për rindërtimin e Afganistanit janë përqendruar në ndihmën civile, ndihmën për zhvillim dhe reformat policore.

Kina dhe Rusia tani janë fokusuar në parandalimin e përhapjes së ekstremizmit islamik dhe drogës nga Afganistani në Azinë Qendrore dhe në rajonin perëndimor të Kinës, Ksinjiang.

Nga ana e tij, Teherani ka frikë se militantët sunitë, të mbështetur nga talibanët, do të depërtojnë në lindje të Iranit nga Afganistani.

Kirsten Fontenrose, drejtoreshë e Iniciativës së Sigurisë në Lindjen e Mesme, pranë Këshillit Atlantik, thotë se vendet që kanë “marrëdhënie funksionale me talibanët” janë: Kina, Rusia, Pakistani, Katari dhe Turqia.

Nga këto, thotë Fontenrose, Katari është “i vetmi që nuk ka synime armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara apo një listë koncesionesh që shpreson t’i sigurojë” nga Uashingtoni.

SHIKONI EDHE: Depresioni dhe mendimet vetëvrasëse ndjekin gratë afgane

Interesat rajonale, lojë globale

Në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP), ekspertet Sabine Fischer dhe Angela Stanzel thonë se Rusia dhe Kina po përfitojnë “në nivel global” nga “dobësimi që Perëndimi ka përjetuar” që nga tërheqja e tij nga Afganistani.

Por, sipas tyre, as Moska dhe as Pekini nuk kanë gjetur zgjidhje për sfidat serioze të sigurisë rajonale, me të cilat përballen tani.

“Nga perspektiva kineze dhe ruse, tërheqja nga Afganistani është dëshmi e mëtejshme e dobësimit progresiv të aleancës perëndimore”, shkruajnë Fischer dhe Stanzel në një analizë të tyre.

Ato thonë se kjo i forcon narrativët e Moskës dhe Pekinit, që bëjnë thirrje për t’i dhënë fund rendit botëror liberal, të dominuar nga Perëndimi.

“Dështimi i Perëndimit nuk do të thotë automatikisht fitime për Pekinin dhe Moskën”, thonë Fischer dhe Stanzel.

“Në fund të fundit, Kina dhe Rusia gjithashtu duhet të përballen me rreziqet që mund të burojnë nga Afganistani në nivel rajonal dhe të rrezikojnë drejtpërdrejt interesat kineze dhe ruse”, shtojnë ato.

Ekspertë të tjerë argumentojnë se Pakistani e sheh veten si fituesin më të madh rajonal - së paku në afat të shkurtër.

Ata thonë se kontrolli i talibanëve në Afganistan i jep Pakistanit leva kundër rivalit të tij kryesor, Indisë, sepse Qeveria e udhëhequr nga talibanët në Kabul, mund të ndikohet nga Islamabadi.

“Miqësia e Pakistanit me Kinën” do t’i lejojë Pekinit të ushtrojë ndikimin e tij në Afganistan, thonë po ashtu vëzhguesit.

Ekspertët thonë se reagimi i qetë i Moskës ndaj pranisë në rritje të Kinës në Azinë Qendrore, thjesht tregon se Rusia është e gatshme të tolerojë një rol më të madh të Pekinit në sigurinë rajonale, por jo domosdoshmërisht për të bashkëpunuar për qëllimet e tyre afatgjate gjeopolitike.

“Pavarësisht bashkëpunimit të fundit në rajon, interesat kineze dhe ruse në Azinë Qendrore dhe Jugore nuk janë identike”, thonë Fischer dhe Stanzel.

“Kina synon t’i integrojë këto rajone ekonomikisht në iniciativën e saj Brezi dhe Rruga”, thonë ato.

SHIKONI EDHE: Duke pritur të papriturën në Afganistan

Rusia, sipas tyre, dëshiron të ruajë rolin e saj si ofruesja kryesore e sigurisë në një “rajon më të madh euroaziatik”, përmes Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive - të udhëhequr nga shteti rus.

Asnjë nga vendet nuk e ka njohur zyrtarisht Qeverinë e udhëhequr nga talibanët në Kabul.

Por, Pakistani, Rusia dhe Kina kanë mbajtur takime dypalëshe me udhëheqësit talibanë.

Përgatiti: Valona Tela