Pa ndonjë përparim, Kosova dhe Serbia përmbyllën edhe një maratonë takimesh të enjten në Bruksel.
Sipas udhëheqësve të BE-së, arritjen e pajtimit e penguan kushtëzimet që paraqitën palët.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj, garanton zbatimin e tyre, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, këmbënguli në zbatimin e "asaj që është nënshkruar".
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se marrëveshja mes tyre nuk ishte e mundur, sepse "parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për tjetrën".
Ai konfirmoi se temë e diskutimeve në Bruksel ishte propozimi i ri i diplomatëve perëndimorë për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili u prezantua në Prishtinë dhe në Beograd më 21 tetor.
"Palët nuk ishin të gatshme të bien dakord për të pa parakushte, e që janë të papranueshme për palën tjetër. Në fund, ne kërkojmë që palët të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit", tha Borrell.
Sipas tij, kjo "mund të bëhet vetëm në kuadër të dialogut, sepse është e vetmja mënyrë për të përparuar në rrugën evropiane".
"Ne do të vazhdojmë të insistojmë dhe të punojmë për të arritur një marrëveshje. Por sot, për fat të keq, nuk ishte e mundur", tha kryediplomati evropian.
Kurti dhe Vuçiq u pritën të enjten në takime të ndara nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Takimet u cilësuan si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, pas sulmit të armatosur në Banjskë.
Çka tha Kurti?
Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, të lëshuar pas takimeve që Kurti zhvilloi me udhëheqësit evropianë, ai përsëriti se është i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe draftin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit, por se pala tjetër nuk është.
"Presidenti i Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023", thuhet në komunikatë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve në muajin shkurt në Bruksel, ndërsa për Aneksin e Zbatimit të saj janë dakorduar në muajin mars në Ohër.
Në asnjërin prej dokumenteve, palët nuk i kanë vendosur nënshkrimet.
Kurti tha se edhe atëkohë ka qenë i gatshëm të nënshkruajë.
SHIKONI EDHE: Çfarë është Marrëveshja Bazë?Çka tha Vuçiq?
Duke iu drejtuar gazetarëve pas takimeve, Vuçiq tha se Serbia dëshiron t'i zbatojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me autoritetet e Kosovës.
Ai tha se, më 21 tetor, kur në Beograd priti të dërguarit perëndimorë, mori një letër që ishte "bazë e mirë për të ardhmen".
Tha se ajo i referohet ekskluzivisht formimit të Asociacionit, por se nuk mund të flasë për detajet, sepse marrëveshja është e tillë që të mos flitet.
"Ne jemi plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit në përputhje me propozimet që i kemi marrë", u tha Vuçiq gazetarëve.
Por, shtoi ai, Serbia "nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara apo pavarësinë e Kosovës" - hapa që, në njëfarë mënyre, i kërkon Marrëveshja Bazë.
"Nuk u bë fjalë për nënshkrim apo mosnënshkrim të ndonjë gjëje", por "për zbatimin e asaj që është nënshkruar dikur, apo që është rënë dakord ndërkohë", tha presidenti serb.
SHIKONI EDHE: BE: Kemi bërë një propozim modern evropian për AsociacioninVuçiq shtoi se askush në takime nuk i ka përmendur "sanksionet kundër Serbisë", që do të lidheshin me sulmin në Banjskë.
Për sulmin e 24 shtatorit, që la të vrarë një polic kosovar, Kurti bëri përgjegjëse Serbinë dhe kërkoi edhe të enjten "sanksionimin dhe ndëshkimin e saj", në mënyrë që sulmet e tilla "të mos përsëriten më".
SHIKONI EDHE: Një muaj pas Banjskës: Çka u tha për sulmin, përgjegjësit dhe dialogun?Takimet në Bruksel u mbajtën përpara nisjes së një samiti të Bashkimit Evropian, pasditen e së enjtes.
Për dy ditë radhazi, udhëheqësit evropianë do të diskutojnë për zhvillimet në botë, përfshirë edhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat kulmuan me sulmin në Banjskë.
Në konkluzionet që pritet t'i miratojnë udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të BE-së, palëve do t'iu kërkohet që t'i përmbushin të gjitha detyrimet nga marrëveshjet e arritura, "pa vonesa dhe pa parakushte".
Po ashtu, përmes tyre, pritet të dënohet sulmi në Banjskë, ndërsa Serbisë t'i kërkohet bashkëpunim në hetimin e tij.
SHIKONI EDHE: Samiti i BE-së: Pritet dënimi i sulmit në Banjskë dhe zbatimi i pakusht i marrëveshjeveKu qëndron dialogu?
Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit më 14 shtator, por pa ndonjë përparim.
Dhjetë ditë më vonë ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Duke folur për gazetën britanike, Financial Times, më 25 tetor, Kurti tha se "nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që ka bërë, definitivisht nuk do të ketë dialog".
Ky proces që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nisi në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së.
Palët arritën dhjetëra marrëveshje për këtë qëllim, por shumë prej tyre nuk u zbatuan kurrë.
Një nga to është edhe ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Edhe pse ka marrëveshje nga viti 2013 për të, zyrtarët në Prishtinë thonë se e tillë siç është, do të ndikonte keq në funksionalitetin e shtetit dhe kanë dalë me disa propozime të tjera për rregullimin e çështjeve të komuniteteve pakicë.
Por, si BE-ja, ashtu edhe SHBA-ja e rritën së voni trysninë mbi Kosovën për të formuar Asociacionin.
Derisa nga SHBA-ja thonë se ai duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për BE-në çështja se si bëhet Asociacioni dhe si do të operojë, duhet të diskutohet në dialog.