Borrell: Kurti paraqiti tri kushte për angazhim në procesin e normalizimit

Your browser doesn’t support HTML5

BE-ja nuk arrin t’i takojë bashkë Kurtin e Vuçiqin

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konfirmoi se sot në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë. Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

“E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media.

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që është arritur më 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe Aneksi për zbatimin e saj që është arritur më 18 mars, 2023, në Ohër, nuk i kanë nënshkrimet e Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sepse udhëheqësi serb ka refuzuar një gjë të tillë.

Asnjëra palë, deri më tash, nuk ka bërë ndonjë lëvizje drejt zbatimit të ndonjë elementi të kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Gjatë konferencës për media, Borrell tha se Serbia nuk ishte e gatshme që plotësisht të pranojë kushtet e vendosura nga Kurti, përderisa, “presidenti Vuçiq la të kuptohet se është i gatshëm të eksplorojë mundësi sa i përket letrës së ish-kryeministres dhe formalizimit të Marrëveshjes [në rrugën drejt normalizimit të raporteve], në linjë me praktikat e shkuara të dialogut, në mënyrë që të zhbllokohet zbatimi i marrëveshjes.

SHIKONI EDHE: Serbia "zyrtarizoi dështimin e dialogut" me letrën në Bruksel

Gjatë takimeve të ndara midis Borrellit dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, me Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas Borrellit, palët paraqitën qëndrimet e tyre se si procesi duhet të ecë përpara.

“Si zakonisht, diskutimet ishin të vështira dhe në fund nuk pati takim trepalësh. Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë, Serbia ishte”, tha ai.

Para takimit, BE-ja ka paraqitur një propozim të ri për planin e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, që palët arritën vitin e kaluar.

Borrell, tha se “fatkeqësisht kushtëzimi i zbatimit nuk lejoi që diskutimet të përqendroheshin në veprime konkrete të zbatimit nga palët sot”.

Ai tha se palët vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme se si duhet të zbatohet kjo marrëveshje, por edhe se si duhet të vazhdojë procesi i normalizimit.
“Tani u takon palëve të tregojnë konstruktivitet dhe të mundësojnë që procesi të lëvizë përpara. Kjo është në interesin e tyre dhe është në interesin e aspiratave të tyre për integrim evropian”, tha Borrell.

Borrell po ashtu konfirmoi se Lajçak do të presë në takim kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme për të vazhduar diskutimet për planin e zbatimit të Marrëveshjes, por edhe për çështje të tjera të dialogut.

Kurti: S'mund të ketë zbatim të marrëveshjeve pa mirëbesim dhe vullnet të mirë

Pas takimeve në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka kërkuar nga ndërmjetësit evropianë "garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilat mundësojnë zbatimin e marrëveshjeve".

"Nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjeve pa mirëbesim dhe vullnet të mirë dhe këto vijnë përmes tri garancive të cilat i kam theksuar", tha Kurti për gazetarët, duke iu referuar tri pikave që Borrell i cilësoi si kushte të vendosura nga Kurti.

"Vetëm nënshkrimi i marrëveshjes sjell sigurinë ligjore dhe juridike në njërën anë, dhe anulon shkeljet e mëhershme", tha Kurti.

Sipas tij, letra sikurse ajo që Bërnabiq i ka dërguar BE-së vitin e kaluar "janë sulme direkte mbi Marrëveshjen Bazë".

"Ajo çfarë ne kemi bërë sot është se e kemi mbrojtur Marrëveshjen Bazë. Ajo është nën sulm nga mosnënshkrimi, nga letra e Bërnabiq dhe nga liria e Radoiçiqit, i cili përndryshe në Serbi vazhdon trajnimet për sulme të reja", pretendoi Kurti.

SHIKONI EDHE: Çfarë është Marrëveshja Bazë?

Sipas tij, nuk mund të ketë as normalizim, e as paqe në rajon pa dorëzimin e Radoiçit tek autoritetet e Kosovës.

Kurti po ashtu u pyet nëse mund të ketë Asociacion pa njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Marrëveshja Bazë e ka në qendër njohjen de facto, së paku. Çështja e Asociacionit është çështje e trashëguar. Mirëpo, ajo mund të adresohet në nenin 7 dhe 10 të Marrëveshjes Bazë, e cila është më e madhe, më e thellë dhe më e lartë se gjithçka që është bërë deri më tani. Dhe për këtë ne jemi shumë të lumtur dhe dëshirojmë ta zbatojmë”, tha Kurti.

Deri më tani, Kosova ka refuzuar që të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin palët janë pajtuar më 2013, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara.

Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takim të përbashkët në Bruksel që nga shtatori i vitit të kaluar, takim që u mbajt disa ditë para se të ndodhte sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Sulmi, që u krye nga një grup i armatosur serbësh, la të vrarë një polic të Kosovës. Gjatë këmbimit të zjarrit, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.

I pyetur se pse nuk pati takim trepalësh, Kurti tha se që nga takimi i fundit "ka ndodhur shumëçka", duke përmendur edhe sulmin në Banjskë.

Vuçiq i konsideron "të suksesshme" takimet në Bruksel

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi për mediat në Bruksel se Kurti "nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë".

Vuçiq tha se është kthyer tri herë në takimin me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarin e bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak, të cilët ia kanë përcjellë mesazhet e Kurtit, të cilave ai i është përgjigjur. Ai e vlerësoi korrekt takimin me ndërmjetësit evropianë.

“Ai nuk ka dashur të më takoj", tha Vuçiq kur u pyet nga gazetarët se pse nuk pati një takim të përbashkët, duke shtuar se Kurti ka thënë se “nuk është gati për një takim me Vuçiqin”.

Sipas presidentit serb, Kurti dëshiron që Serbia ta njohë Kosovën dhe "tani kanë dalë me disa kërkesa të tjera, por në thelb është një njohje de jure”.

Vuçiq tha se gjatë takimeve dypalëshe është folur për gjithçka që ka të bëjë me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve, teksa i ka konsideruar “të suksesshme” takimet në Bruksel.

Ndërmjetësit evropianë gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Bruksel, 26 qershor 2024.

Rundi i dialogut në nivel të lartë - i pari gjatë këtij viti - u zhvillua në kohën kur zyrtarët evropianë, të angazhuar në ndërmjetësimin e procesit, janë drejt përfundimit të mandatit pesëvjeçar.

SHIKONI EDHE: Pas nëntë muajsh tensione, Kurti e Vuçiq përballë njëri-tjetrit

Josep Borrell do të shërbejë si shef i diplomacisë evropiane deri në vjeshtë, ndërsa javën e ardhshme do të dihet se kush do ta pasojë atë.

Mirosllav Lajçak është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, por do të veprojë si ndërmjetës në dialog derisa të gjendet zëvendësuesi i tij.

SHIKONI EDHE: Përparim në dialog apo humbje të fondeve të BE-së: Çfarë do të zgjedhin Kurti e Vuçiq?

Bashkimi Evropian vazhdimisht ka thënë se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë - proces që ka nisur në Bruksel më 2011 - është i lidhur ngushtë po ashtu me rrugën evropiane të të dyja palëve.

Po ashtu, një prej arsyeve pse Kosova dhe Serbia duhet të jenë të kujdesshme në procesin e dialogut është edhe kushtëzimi i pagesave nga Plani Evropian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor me përparimin në dialog.