Kurti u uron shërim të shpejtë të plagosurve në sulmin në Beograd

Qytetarët në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, ndezën duke qirinj pas sulmit të armatosur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu ngushëllime për humbjen e jetëve në sulmin vdekjeprurës që ndodhi mëngjesin e 3 majit në një shkollë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Ndërsa, të plagosurve u uroi shërim të shpejtë.

Në këtë sulm të armatosur që u krye nga një nxënës 13 vjeç, u vranë tetë fëmijë dhe një roje.

“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të thella për viktimat e të shtënave në shkollë, në Beograd, dhe për familjet e tyre... U uroj shërim sa më të shpejtë të lënduarve në këtë ngjarje tragjike”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në Twitter.

Mbrëmjen e 3 majit, ndaj këtij sulmi ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo shprehu ngushëllime për të gjithë prindërit që humbën fëmijët e tyre derisa uroi shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit.

SHIKONI EDHE: Dy të plagosur nga sulmi i armatosur në Beograd në gjendje kritike

Në sulmin e armatosur në shkollën "Vladislav Ribnikar" e cila ndodhet në qendër të Beogradit, u plagosën edhe gjashtë nxënës dhe një mësuese.

Pesë nga të lënduarit janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa gjendja e njërit prej fëmijëve të plagosur mbetet kritike.

Sulmuesi u arrestua në vendin e krimit.