Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se ushtria serbe është larguar nga kufiri me Kosovën, pasi “erdhi për të na provokuar” të enjten.
“Nuk është normale që ato automjete ushtarake të mbërrijnë vetëm pak metra larg kufirit. Jam i kënaqur që nuk janë sot, nuk kanë qenë deri në orën 16.00”, tha Kurti duke folur në një konferencë për media në Prishtinë.
Ai tha se autoritetet kosovare e regjistruan lëvizjen e tyre përgjatë kufirit kosovar, por “ne nuk bëmë asgjë”.
“Ne ishim të kujdesshëm, shikonim nëse do të kalonin kufirin, por ata nuk e kaluan kufirin”, shtoi ai.
SHIKONI EDHE: O'Brien: Vuçiq e di se përdorimi i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëmKurti tha për herët të parë të enjten pak para mesnatës së ushtria serbe u pa duke lëvizur disa metra larg kufirit me Kosovën, duke i cilësuar ato si “provokime të qëllimshme”.
Të premten më herët, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i hodhi poshtë deklaratat e Kurtit duke i cilësuar si “fushatës dezinformuese për ushtrinë e Serbisë”.
Ajo tha se forcat e ushtrisë serbe “janë duke i kryer detyrat e tyre në zonën e sigurt administrative, në përputhje me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara”.
Më herët gjatë ditës, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, tha se Shtetet e Bashkuara janë duke i vëzhguar lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën dhe se ia kanë bërë me dije Serbisë që përdorimi i forcës do të ishte i papranueshëm.
“Në Serbi, presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq e di mirë se çdo përdorim i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm, do të konsiderohej rrezikim i forcave të NATO-s, që janë aty për të mbrojtur popullsinë, shqiptarët dhe serbët. Ai ka thënë se nuk do të ketë përdorim të forcës”, tha O'Brien.
Ndërkohë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha të premten për Radion Evropa e Lirë se gjendja e sigurisë në Kosovë është “e qetë, por e brishtë”, dhe u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga retorika përshkallëzuese dhe ndarëse.
SHIKONI EDHE: KFOR u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga retorika përshkallëzueseI pyetur në lidhje me deklaratën e kryeministrit Kurti, KFOR-i tha se “qëllimi ynë është ta ndalojmë përshkallëzimin dhe ne jemi të gatshëm dhe të pajisur për t’i ndërmarrë të gjitha masat për ta përmbushur mandatin tonë të OKB-së, për të siguruar mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lëvizjen e lirë”.
“Ne e kemi trefishuar edhe numrin e patrullimeve, përfshirë në vijën kufitare administrative”, tha KFOR-i.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përshkallëzuan në shtator të vitit të kaluar, kur një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin verior kosovar, Banjskë, duke e vrarë një rreshter policor.
Tre sulmues serbë u vranë nga shkëmbimi i zjarrit më vonë.
Kosova e ka fajësuar Serbinë se ka gisht në këtë sulm dhe se u përpoq ta aneksojë veriun e Kosovës, por kjo është mohuar nga Beogradi zyrtar.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit.