Kurti: Policia e Kosovës nuk është e orientuar kundër serbëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se organet e sigurisë nuk e përndjekin askënd në baza etnike, fetare, por vetëm sipas sjelljeve dhe veprimeve të tyre individuale ose grupore.

“Policia e Kosovës nuk është kurrë e drejtuar, e nxitur, e orientuar kundër serbëve. Përkundrazi, ajo ka një konsideratë shtesë për serbët në Kosovë, pikërisht për shkak të keqinterpretimeve të ndryshme, të cilat mund të bëhen nga fqinji ynë verior”, ka thënë ai para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, Kurti ka thënë se pavarësisht “konsideratës shtesë”, Kosova ka përgjegjësi që dalin nga kushtetuta dhe ligji.

“Unë kurrë nuk i barazoj serbët, pavarësisht se çfarë bëjnë e thonë. Beogradi zyrtar e ka kuptuar që nuk po mund t’i ndajë shqiptarët dhe serbët në shpjegimin e situatës në Kosovë. Përditë, serbë dhe shqiptarë takohen në Kosovë".

Ai ka thënë se është duke u konsultuar vazhdimisht me faktorin ndërkombëtar.

“Por ju duhet ta kuptoni se ata presin që ne të jemi në nivel të detyrës në vendin tonë. Janë ambasadorët e QUINT-it, por ata nuk bëhen dot ministra. Ministra janë qytetarët e këtij vendi, aktualisht në Qeverinë tonë. Qeveritë vijnë e shkojnë, por shteti mbetet”.

Vendet e QUINT-it janë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.

  • Për më shumë informacione, na ndiqni në Live Blog

Ditëve të fundit janë shtuar incidentet në veri të Kosovës, por pa pasoja në njerëz.


Në orët e vona të 8 dhjetorit, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një pjesëtar i saj është lënduar lehtë gjatë një sulmi të armatosur në veri.

Sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në atë pjesë të Kosovës.

SHIKONI EDHE: Sulmohet Policia e Kosovës në veri

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se vendimi i policisë për të shtuar praninë e saj në veri, ka për qëllim sigurimin e qytetarëve.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se "Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri dhe se Serbia "do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë" në Kosovë.

Në katër komunat në veri - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok - pritet të mbahen zgjedhjet lokale më 18 dhjetor. Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kundërshton mbajtjen e tyre.

SHIKONI EDHE: Chollet: Zgjedhjet në veri duhet të shtyhen

Përfaqësuesit e saj kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje vazhdimisht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, dhe në përmbushjen e obligimeve të tyre që dalin nga marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësim të BE-së në Bruksel.

Blloku evropian ka thënë po ashtu se palët duhet të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që çojnë deri te tensionet në Kosovë dhe që të gjitha mospajtimet t’i adresojnë përmes dialogut.