Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën në një takim me disa anëtarë të Parlamentit Evropian se, bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë nuk kanë alternativë, ashtu sikurse njohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.
“Në dialog në Bruksel jemi për një kapitull të ri të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona, ku zgjidhim çështjet e pazgjidhura me njohje reciproke, ka thënë Kurti.
Ai ka pritur të shtunën në Prishtinë delegacionin e eurodeputetëve në krye me përfaqësuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Në një komunikatë për media, kryeministri Kurti është thënë të ketë diskutuar me palën evropiane për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet mosnjohëse të Bashkimit Evropian, për procesin e liberalizimit të vizave dhe mbështetjen që i ka ofruar blloku evropian Kosovës përmes ndarjes së vaksinave kundër koronavirusit.
Temë diskutimi ka qenë edhe operacioni i Policisë së Kosovës kundër kontrabandimit të mallrave në disa qytete të Kosovës.
"Ky ishte një operacion normal i Policisë, e cila ka kryer punën në mënyrë profesionale dhe sipas procedurave ligjore", është cituar të ketë thënë Kurti.
Your browser doesn’t support HTML5
Von Cramon, në anën tjetër, ka falënderuar institucionet e Kosovës për pranim të refugjatëve afganë, si dhe ka folur edhe për reformat e nisura në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe ruajtjen e stabilitetit institucional.
Aktualisht në këtë Kosovë janë rreth 700 refugjatë afganë, të cilët janë evakuuar nga Shtetet e Bashkuara, pas marrjes së kontrollit të talibanëve në Afganistan.
Rreth 100 prej tyre tashmë janë larguar nga Kosova drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Pjesa e mbetur do të qëndrojë përkohësisht në Kosovë, deri në finalizim të procedurave ligjore për zhvendosje të përhershme në SHBA, apo vende tjera evropiane.