Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur në një takim të hënën në Prishtinë drejtorin e Qendrës Memoriale të Gjenocidit të Srebrenicës, Emir Sulljagiq, ku u bë thirrje që Serbia të ballafaqohet me të kaluarën e saj, tha Zyra e tij në një njoftim.
“Kurti i uroi mirëseardhje në Kosovë Sulljagiqit në 25-vjetorin e çlirimit të vendit tonë dhe përfundimit të spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, thuhet në një njoftim të Zyrë së Kurtit.
Të hënën në Kosovë u shënua 25-vjetori i përfundimit të luftës dhe i çlirimit të vendit.
“U tha se për paqe në Ballkan, Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj dhe të mbahet përgjegjëse për krimet, masakrat dhe gjenocidet e kryera, dhe që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e krimeve të kryera gjatë luftës”, sipas njoftimit.
Sulljagiq është i mbijetuar i këtij gjenocidi të kryer nga forcat serbe në korrikun e vitit 1995 në Srebrenicë, në të cilën u vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë.
Krimi në Srebrenicë njihet si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare.
Më 23 maj, anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara miratuan rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
SHIKONI EDHE: Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton rezolutën për Srebrenicën“Duke vlerësuar miratimin e rezolutës së Kombeve të Bashkuara mbi 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës, kryeministri rikujtoi se Kuvendi i Kosovës ka miratuar në korrikun e vitit 2021 një rezolutë të posaçme e cila e dënon gjenocidin serb në Srebrenicë”, theksoi Zyra e Kurtit.
Sulljagiq shprehu “mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë” që po i bëhet në Kosovë, si dhe ritheksoi potencialin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, thuhet në njoftim.
“Në takim u vlerësua bashkëpunimi mes Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës dhe memorandumi i bashkëpunimit që pritet të nënshkruhet”, thuhet në njoftim.
Kurti e theksoi “përkushtimin e Qeverisë për procese gjithëpërfshirëse të drejtësisë tranzicionale, si dhe finalizimin e Strategjisë së parë të Republikës së Kosovës për Drejtësi Tranzicionale”.