Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të dielën në konferencë për media se sulmet në zonën ku është vrarë zyrtari policor në veri janë duke vazhduar akoma.
Një zyrtar i Policisë së Kosovës, me inicialet A.B, është vrarë në orët e para të së dielës në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Po ashtu, sipas Policisë, si pasojë e sulmit është plagosur një zyrtar policor dhe një tjetër është lënduar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.
"Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet tona të sigurisë”.
- Informacionet e fundit për zhvillimet në veri, pas vrasjes së zyrtarit policor, i gjeni këtu.
Ai ka thënë se formacioni me këta persona “profesionistë” është në dhe rrotull Manastirit në Banjskë.
Teksa i ka shfaqur disa fotografi në ekran, Kurti ka thënë se banorët lokalë serbë "nuk kanë automjete të tilla, dhe asnjë civil tjetër në Republikën e Kosovës".
“Organet tona të sigurisë dhe prokuroria, me siguri, do të zhvillojnë hetime për të kuptuar më shumë për këto uniforma”.
“Unë u bëj thirrje të gjithë atyre, edhe si formacion, edhe si individë që t’iu dorëzohen organeve të sigurisë, të cilat e kanë vendosur perimetrin rreth tyre në Banjskë”.
Përgjatë konferencës, Kurti e ka theksuar se është shumë e rëndësishme që kjo situatë të përmbyllet në mënyrë të qetë dhe më pas do të vendoset çka tutje.
Në konferencën për media, kryeministri Kurti është shoqëruar nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti.