Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka hedhur poshtë sugjerimet e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O'Brien, se Kosova e rrezikoi partneritetin me Shtetet e Bashkuara pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.
Duke folur për gazetarë të mërkurën në Prizren, Kurti tha se e vlerëson SHBA-në si partnerin më të rëndësishëm të Kosovës.
“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës”, tha Kurti.
Ai foli një ditë pasi O’Brien tha për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.
SHIKONI EDHE: O’Brien thotë se Kosova e vuri në dyshim partneritetin me SHBA-në me vendimin për dinarin“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien të martën.
I pyetur me këmbëngulësi nga gazetarët për deklaratën e O’Brien, Kurti e përsëriti disa herë: “Nuk po rrezikohet, nuk po rrezikohet”.
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) e futi në fuqi më 1 shkurt një rregullore të re e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, duke i shpërfillur thirrjet e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj dhe kundërshtimin e serbëve të Kosovës.
Në fillim të kësaj jave, BQK-ja njoftoi se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj do të zgjasë deri në tre muaj, ndërsa Kurti tha të njëjtën ditë se Kosova nuk do të heqë dorë nga vendimi për ndalimin e dinarit për pagesa me para të gatshme, por se ai po i respekton kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për këtë çështje.
SHIKONI EDHE: BQK-ja thotë se faza e tranzicionit për dinarin mund të zgjasë deri në tre muaj
Të mërkurën, duke folur në qytetin jugor të Kosovës, Kurti e mbrojti vendimin për dinarin, duke thënë se ai nuk parasheh masa ndëshkuese në, siç tha, planin 10-pikësh të BQK-së për zbatimin e rregullores së saj.
“Në mesin e këtyre 10 pikave si plan pune për zbatimin e rregullores, Banka Qendrore nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese, pra pa ndëshkim dhe pa incident, ne duam të ecim përpara. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioriteti ynë, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe paqe e siguri, kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serbë”, tha Kurti.
Serbia e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.
Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel - rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
SHIKONI EDHE: Serbët në Mitrovicë të Veriut protestojnë kundër ndalimit të dinaritBanka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.
BQK-ja ka thënë se një praktikë e tillë është e paligjshme, pasi vetëm ajo mund të bëjë eksport dhe import të monedhave dhe kartëmonedhave brenda territorit të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka thënë se serbët do të mund të hapin llogari, pa pagesë, ku mund të bartin paratë e tyre në dinarë, të cilat më pas do të konvertohen në euro për të kryer pagesa.