Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka prezantuar të dielën, ato që i ka konsideruar, katër qëndrimet e tij për ecjen përpara në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai i ka bërë këto deklarata në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kurti ka thënë se për palën kosovare, kërkesa për marrëveshje përfundimtare, ligjërisht obliguese, është ajo “që nuk e ndan njohjen nga Serbia prej ulëses në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Kosovën", duke shtuar se dialogu mes dy vendeve nuk mund të vazhdojë pafundësisht.
SHIKONI EDHE: Osmani: Drejtësia, parakusht për paqe të qëndrueshme mes Kosovës dhe SerbisëSi pikë të dytë, ai ka përmendur një marrëveshje që ka formën dhe përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare, sipas kërkesave dhe qëllimeve të Konventës të Vjenës për Ligjin mbi Traktatet.
“E treta, po bëhen 23 vjet bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gati gjysma e kësaj periudhe nën ndërmjetësimin apo lehtësimin BE-së. Nuk mund të vazhdojmë pafundësisht, por, duhet ta dijnë qysh në fillim që dialogu, bisedimet, nuk janë për statusin e Kosovës, por për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që duhet të bazohet në barazi dhe reciprocitet, e tillë çfarë është edhe njohja e ndërsjellë”, ka deklaruar Kurti në takim, sipas fjalimit të publikuar në faqen e tij në Facebook.
Kurti ka thënë mes tjerash se “pavarësia e Kosovës është kompromis”.
“Pavarësinë nuk e kemi shpallur vitin e kaluar, por para 13 viteve dhe 4 vitet e para pavarësia e kishte Piter Faith-in sipër si autoritet sovran, ndërkaq tash e 13 vjet e ka Ahtisarin brenda, këtij kompromisi që është dashur ta sjell një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por që nuk ndodhi asnjëherë”, ka thënë ai.
Më 23 qershor, Kurti është pritur në Francë nga presidenti i këtij shteti Emmanual Macron dhe pas takimit, ky i fundit u ka bërë thirrje, si Kosovës, ashtu edhe Serbisë për t’u angazhuar si evropianë në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje "që do t’i bëjë të mundur Beogradit dhe Prishtinës të kthehen tek e ardhmja evropiane".
SHIKONI EDHE: Macron: Kosova dhe Serbia të angazhohen për arritjen e një marrëveshjejeDialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.
Raundi i fundit i dialogut është mbajtur më 15 qershor të këtij viti.
Ky njëherësh ka qenë takimi i parë që kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut.
SHIKONI EDHE: Vuçiq: Serbisë nuk i duhet konflikt i ngrirë me KosovënNë fund të takimit, zyrtarët kanë bërë të ditur se nuk janë marrë vesh për asnjërën nga temat e ngritura.
Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik.