Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia paturpshëm mohon gjenocidin në Srebrenicë - vendin ku forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, gjatë luftës së viteve ’90.
Më 11 korrik bëhen 27 vjet nga kjo masakër, e cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
“Kur organet që do të duhej të dilnin e të kërkonin falje me përulje, dalin paturpësisht mohojnë ekzistencën e gjenocidit...”, shkroi Kurti në Facebook.
SHIKONI EDHE: Varrosen pesëdhjetë viktima të Srebrenicës, 27 vjet pas gjenociditAutoritetet në Serbi, por edhe udhëheqësit e serbëve të Bosnjës refuzojnë të pranojnë se në Srebenicë ka ndodhur gjenocid dhe masakrën e quajnë “krim i madh”.
Kjo, edhe përkundër faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur masakrën si gjenocid.
Vitin e kaluar, ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar për Bosnjën, Valentin Inzko, e ka shpallur të jashtëligjshëm mohimin e gjenocidit dhe të krimeve të luftës, duke e bërë një akt të tillë të dënueshëm me burg.
Masakra e Srebrenicës ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, më 1995. Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në masakër.
Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.
“Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi nuk mund të riparohet. Por, ai mund të njihet duke u pranuar”, shkroi Kurti në Facebook.
SHIKONI EDHE: Lajçak: “Situatë e re” në marrëdhëniet Kosovë-SerbiKosova është në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Procesi ka nisur në vitin 2011, mbi një dekadë pas përfundimit të luftës në Kosovë, të iniciuar nga regjimi i atëhershëm serb.
Gjatë luftës së viteve 1998/99, në Kosovë janë vrarë rreth 13,000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800,000, ndërsa janë zhdukur rreth 6,000.
Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1,600 persona.