Kurti: Në Paris mund të ketë takim trepalësh me Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, 18 qershor 2022.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se të enjten në Paris mund të ketë një takim trepalësh me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kështu ka shkruar ai në Facebook mbrëmjen e 9 nëntorit, ku ka njoftuar se do të udhëtojë për në Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes.

“ Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trelateral me presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim prej gjashtë anëtarësh nga kryeministria”, ka shkruar ai.

Ai ka ripërsëritur qëndrimin e tij se është i interesuar për marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër.

“I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne”, ka shkruar ai.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza.

"Një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël - që ata thonë se është 1 për qind - do të liheshin për një periudhë të mëvonshme", ka thënë Bislimi, pa specifikuar më shumë.

Vuçiq ka thënë, muajin e kaluar, se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të integrimit më të shpejtë të saj në BE.

SHIKONI EDHE: Hovenier: Të nisin urgjentisht negociatat për Asociacionin

I pyetur nga gazetarët për këtë plan, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se tash për tash është "shumë i përqendruar" në krizën aktuale.

Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë plan.

Qeveria e Kosovës kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Plani i saj parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese.

Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të tij, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

"Të gjithë jemi të shqetësuar për situatën në veri", sepse ajo ka “potencial për të eskaluar”, tha ambasadori Hovenier.