Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë që ka kërkuar shtimin e numrit të forcave të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, për shkak të rritjes së bashkëpunimit mes Serbisë dhe Rusisë.
“Na shqetësojnë lidhjet mes Serbisë dhe Rusisë, për këtë arsye na duhen më shumë trupa... Bashkëpunimi mes tyre është rritur pas nisjes së luftës në Ukrainë, dhe për këtë arsye na duhen trupa shtesë të NATO-s në Kosovë”, tha ai gjatë një interviste për Al Jazeera.
Më 1 janar, Kurti, i bëri thirrje NATO-s që të rrisë numrin e forcave paqeruajtëse në Kosovë.
Por, më 5 janar, NATO i tha REL-it se nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare nga Kosova për shtimin e numrit të trupave në misionin e saj, KFOR, dhe se aktualisht aktualisht kanë prezencë të mjaftueshme në Kosovë.
- Kurti kërkon forcim të pranisë së NATO-s në Kosovë
- NATO: Aktualisht kemi prezencë të mjaftueshme në Kosovë
Kurti: Ideja e shkëmbimit të territoreve nuk ka vdekur
Kur u pyet për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti tha se projekti politik për këtë temë ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur.
“Unë jam shumë i sigurt që presidenti i Serbisë [Alkesandar Vuçiq] është nostaligjk për ato kohë, që do të thotë se projekti politik i shkëmbimit të territoreve ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur. Por nostalgjia nuk është një ndjenjë me të cilën mund të bëjmë progres. Shkëmbimi i territoreve nuk do të ndodh, shkëmbimi i territoreve është formulë për luftë”, ka thënë ai.
Për shkëmbimin e territoreve para disa viteve kanë folur ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mirëpo kjo ide ka shkaktuar debate të shumta, si në Kosovë ashtu edhe në skenën ndërkombëtare.
- Dilemat për dialogun pa ‘vija të kuqe’
- Kush dha ‘dritën e gjelbër’ për idenë e ndryshimit të kufijve?
Kryeministri ka folur gjithashtu edhe për dialogun me serbët lokalë dhe me disa organizata të shoqërisë civile. Ai tha se vazhdon t’i takojë ata, dhe se “nuk ka kryeministër në Kosovë që ka takuar më shumë serbë lokalë” sesa ai.
Kurti, qysh në fushatën zgjedhore të vitit 2019, ka paralajmëruar dialog me serbët e Kosovës, duke vlerësuar se një dialog i tillë është më i rëndësishëm se ai që zhvillon Kosova me Serbinë, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve.
Në nëntor të vitit të kaluar, zyrtarë të Qeverisë i thanë REL-in se janë duke zhvilluar dialog me serbët lokalë, por “larg syve të publikut”.
Ata nuk kanë dhënë shumë detaje në lidhje me këtë proces, duke thënë se synojnë t’i mbrojnë përfaqësuesit serbë nga “presionet dhe kërcënimet” e “strukturave ilegale dhe grupeve të lidhura me to”.
SHIKONI EDHE: Qeveria thotë se bën dialog me serbët, por jo publikishtKosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.
Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i shumicës së tyre në terren ka ngecur.
Kosova insiston se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke; Serbia kërkon zgjidhje kompromisi, por pa specifikuar shumë se çka nënkupton me të.