Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe te busti i ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila ka vdekur më 23 mars në moshën 84-vjeçare.
Kryeministri Kurti tha të enjten, 24 mars, se ndërhyrja e NATO-s, për të ndalur gjenocidin në Kosovë - me bombardimet kundër Serbisë - mban vulën e zonjës Albright.
Kosova dhe populli i saj, tha Kurti, do të jenë gjithmonë falënderues dhe mirënjohës.
“Dija e saj e thellë, mendja e mbrehtë, dashuria e paepur për të drejtat dhe liritë e qytetarit në republikë, orientimi i saj për demokracinë sociale dhe njohuritë e jashtëzakonshme për gjeopolitikën, e bëjnë një personalitet, i cili do të kumbojë gjatë, jo vetëm në politikën dhe qeverisjen në SHBA e te ne në Kosovë, por edhe në shumë vende tjera të botës”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, politika, diplomacia dhe historia, vështirë se kombinohen në një mënyrë më të përsosur sesa te personaliteti i ish-sekretares së ndjerë Albright.
Konjufca tha se populli i Kosovës kurrë nuk do ta harrojë dhe gjithmonë do të jetë mirënjohës për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë Albright në çlirimin dhe lirinë e popullit të Kosovës.
“Ajo bashkë me presidentin Bill Clinton, ishte forca kryesore shtytëse në planin ndërkombëtar për të ndalur gjenocidin e shtetit të Serbisë në popullin e Kosovës”, tha Konjufca.
Madeleine Albright ishte gruaja e parë e zgjedhur në pozitën e sekretares amerikane të Shtetit më 1997.
Ajo shërbeu në këtë pozitë deri më vitin 2001, në administratën e Bill Clintonit.
Albright ka qenë sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.
Albright ishte figurë qendrore në administratën e presidentit Clinton.
Për punën e saj për demokraci dhe të drejtat e njeriut, ajo më 2012 ishte nderuar me Medaljen Presidenciale të Lirisë, që është çmimi më i lartë civil në SHBA.
Për kontributin e saj për çlirimin e Kosovës, në Prishtinë, më 2019, në përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s, u zbulua në Prishtinë busti për nder të saj.
Your browser doesn’t support HTML5
Po atë vit, Kosova e kishte dekoruar ish-sekretaren Albright me Urdhrin e Lirisë.