Kurti propozon që ai dhe ministrat e tij ta shkruajnë një statut për formimin e Asociacionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në Facebook lidhur me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në vitin 2024, tha se për Qeverinë e tij prioritet mbetet siguria e Kosovës, integriteti territorial dhe përmirësimi i kushteve të jetesës së të gjithë qytetarëve pa dallim.

Ne lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes dhe se deklarata e fundit e ndërmjetësit në dialog, Miroslav Lajçak, nënkupton se çështja e draft-statutit është “vetëm çështje e brendshme e Kosovës”.

“…Në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

SHIKONI EDHE: Çfarë parasheh draft-statuti për Asociacionin?

Ai ka thënë se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “mund të nënshkruhet në Samitin e Këshillit Evropian”, i cili do të mbahet më 21 dhe 22 mars 2024.

Kosova dhe Serbia e pranuan marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në fund të shkurtit dhe një dokument aneks për zbatimin e saj u dakordua në Ohër në mes të marsit. Megjithatë, Kosova insistoi në nënshkrimin e këtyre dokumenteve, të cilat Serbia i refuzoi.

Më 14 dhjetor, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, e dorëzoi një letër zyrtare në selinë e Bashkimit Evropian, ku shpreh rezerva për detyrimet që dalin nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, përfshirë aneksin zbatues. Zyrtarët e lartë të Serbisë në disa raste kanë thënë se nuk do ta pranojnë asnjëherë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Nga ana tjetër, Kosovës po i kërkohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë në bazë të një draft-statuti i cili iu paraqit Kosovës dhe Serbisë në tetor nga përfaqësues të BE-së, SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Kurti dhe Vuçiqi e pranuan atë statut në parim.

SHIKONI EDHE: Lajçak thotë se ka progres në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut

Në një intervistë për portalin kosovar Gazeta Express, i dërguari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka thënë se marrëveshja duhet të formalizohet deri në fund të janarit dhe se për këto kërkesa të palëve pritet zbatimi i Asociacionit.

“Ekipi im e ka shqyrtuar edhe një herë çështjen e zyrtarizimit sipas kërkesës së Kosovës dhe ne i kemi ofruar Kosovës disa opsione në këtë drejtim dhe aktualisht presim përgjigjen e tyre”, tha Lajçak.

Për sulmin në Banjskë

Kurti iu është referuar edhe sulmit në Banjskë me vlerësimin se “përfundimet e hetimit duhet të publikohen menjëherë dhe Millan Radoiçiq dhe anëtarët e grupit të tij paraushtarak duhet t'i dorëzohen autoriteteve të Kosovës”.

Një grup serbësh të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë më 24 shtator, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë. Kosova pretendon se pas këtij sulmi qëndron Serbia, të cilën Beogradi zyrtar e mohon.

SHIKONI EDHE: Daçiq thotë se ekstradimi i Radoiçiqit në Kosovë është i pamundur

Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili ka thënë se gjithçka e ka organizuar vetë, dhe se për këtë nuk ka njoftuar askënd. Ndërkohë, në fillim të dhjetorit, me kërkesë të Kosovës, Organizata Ndërkombëtare e Policisë (Interpol) lëshoi fletarrestim për Radoiçiqin.

“Shpresoj që Bashkimi Evropian dhe ShBA-të do t’i vendosin sanksione Serbisë, e posaçërisht Presidentit të saj Aleksandar Vuçiq, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, për eskalimin në veri të vendit tonë dhe për heqje dorë nga Marrëveshja Bazike (nëpërmjet letrës së Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, të 14 dhjetorit)”.

Gjithashtu, Kurti kërkoi që të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat BE-ja i vendosi për shkak se Qeveria nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës në fund të majit.