I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se zyrtarët në Bruksel janë duke punuar që takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbahet brenda javësh.
Lajçak, i cili ndërmjetëson dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i bëri komentet të martën në Prishtinë.
“Mund të kthehem sërish së shpejti për t'u siguruar që takimi [Kurti-Vuçiq] do të jetë i përgatitur mirë. Besojmë se nuk ka më kohë për të humbur”, tha ai pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.
Të martën, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se dy vendet kanë marrë tashmë tekstin e përditësuar të të ashtuquajturit plan franko-gjerman, që parashesh disa hapa për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
"Versioni i fundit i tekstit është dërguar dje në Beograd dhe sot në Kosovë. Ato [Kosova dhe Serbia] duhet të angazhohen tani në një diskutim serioz, sepse ky është një moment, ku ka një mundësi të madhe", tha Borrell në Tiranë, ku po merr pjesë në një samit midis BE-së dhe përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Plani i BE-së, i cili mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara, është pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndonëse ka kohë që përflitet, për përmbajtjen e tij nuk ka informacione zyrtare.
SHIKONI EDHE: Nga plani franko-gjerman në propozim të Brukselit: Çka dihet deri më tani?Lajçak, një ditë më herët, qëndroi edhe në Beograd, ku takoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai tha se në këtë takim, mes tjerash, u diskutua për çështjen e kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës.
Serbët e pjesës veriore i kanë braktisur institucionet e Kosovës në fillim të nëntorit, për shkak të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.
Kosova dhe Serbia, ndërkohë, kanë arritur një marrëveshje për çështjen e targave, por se si mund të kthehen serbët në institucione, tash për tash, nuk është e qartë.
Vuçiq, në anën tjetër, tha se ka theksuar edhe një herë domosdoshmërinë e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ky asociacion është pjesë e një marrëveshjeje që Kosova dhe Serbia kanë arritur në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë.
Kurti thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik, ndërsa Serbia insiston në krijimin e tij.
Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë BE-në dhe SHBA-në, u bën vazhdimisht thirrje palëve që t'i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura.
Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në nëntor, kur bisedimet u përqendruan në gjetjen e zgjidhjes për targat.