Kurti thotë se është konfirmuar se “policët u kidnapuan brenda territorit të Kosovës”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se tashmë ka konfirmuar se tre policët e arrestuar “ishin zënë në pritë dhe kidnapuar nga forcat serbe” brenda territorit të Kosovës.

“Tani e kemi konfirmuar se tre policët e arrestuar në mënyrë ilegale ishin zënë në pritë dhe kidnapuar nga forcat serbe përderisa ishin në një pauzë të përbashkët dreke, nga një patrullë rutinore e kontrabandimit brenda territorit të Kosovës”, shkroi Kurti në Twitter.

Në një postim tjetër në Facebook, Kurti tha se këtë "e dokumentojnë qartë dëshmitë që posedojnë institucionet tona të sigurisë, si dhe dëshmia e tre policëve tanë"

"Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë. Pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor: 1 kilometër në brendi përgjatë rrugës së bllokuar ilegale, dhe 300 metra, përkatësisht 670 metra, nga të dy anët larg kufirit e brenda Kosovës", shkroi Kurti në Facebook.

Tutje, Kurti i bëri thirrje Serbisë “të ndalojë dezinformatat dhe t'i lëshojë zyrtarët tanë tani”.

Një ditë më parë, Kurti tha se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, i kishte vizituar më 20 qershor tre policët e arrestuar ditë më parë nga autoritetet e Serbisë.

SHIKONI EDHE: Kurti flet për gjendjen e tre policëve, i gatshëm të shkojë në Bruksel

“Përshkrimi se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjtë. Ata thonë se në momentin e rrëmbimit kanë qenë te tryeza e improvizuar, kanë qenë duke ngrënë drekë. Së bashku, kur 15 persona i kanë rrethuar, i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Të tre kanë qenë bashkë. Të tre e kanë rrëfimin e njëjtë, kur pyeten ndaras nga ambasadori ynë Jetish Jashari”.

Në një konferencë për media me gazetarë, bashkë me ministren e Jashtme Donika Gërvalla, Kurti ka insistuar se policët janë rrëmbyer dhe se një veprim i tillë ka qenë hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës, për shkak të, siç ka thënë, luftimit të krimit të organizuar.

Zyrtarët policorë të Kosovës janë arrestuar nga autoritetet serbe më 14 qershor.

Prishtina ka thënë se ata janë rrëmbyer në territorin e Kosovës, ndërsa Beogradi ka thënë se ata janë arrestuar në territorin serb.

SHIKONI EDHE: Familjet, në terr për tre policët

Sipas autoriteteve serbe, policët dyshohet se kanë kryer veprat penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse.

Këto shkelje janë të dënueshme me deri në 12 vjet burgim.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për lirimin e tyre, pa kushte.

SHIKONI EDHE: DASH: Serbia të lirojë menjëherë policët e arrestuar nën akuza të pabaza