Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ditëve të fundit janë intensifikuar kërcënimet e Serbisë dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për destabilizmin e situatës në veri të vendit.
Kjo, sipas Kurtit, po ndodh për shkak se Vuçiqi ka refuzuar planin franko-gjerman, dhe kështu po i përdorë, siç tha ai, pjesëtarët e strukturave ilegale në veri, për ta destabilizuar.
“... për shkak të refuzimit që ia kanë bërë Parisit dhe Berlinit, dhe për këtë po i përdorin ata [serbët në veri] që ende vazhdojnë t’i dëgjojnë, pra pjesëtarë të strukturave ilegale. Serbia është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarëdo marrëveshje”, tha Kurti.
"Beogradi e ka refuzuar planin franko-gjerman dhe tash po bën drama për ta maskuar refuzimin", theksoi kryeministri i Kosovës.
Kështu deklaroi Kurti në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dy ditë pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në shenjë pakënaqësie ndaj plani t të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa serbe.
Autoritetet në Kosovë e kanë akuzuar Serbinë se është duke bërë presion mbi serbët e Kosovës për t’u larguar nga institucionet. Por, Vuçiq ka thënë se autoritetet e Kosovës kanë aplikuar “opsionin më të keq të mundshëm” kur është fjala për targat.
SHIKONI EDHE: Serbët në veri: Nuk duam tjetër shtetPër planin franko-gjerman nuk ka shumë informacione.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, më 3 nëntor ka konfirmuar se ekziston plani franko-gjerman, që është raportuar se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza, "ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë se është 1 për qind, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme".
Në tetor, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara, në këmbim të një anëtarësimi të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.
"Plani franko-gjerman, hap në drejtimin e duhur"
Kurti tha se Kosova e ka parë planin franko-gjerman si hap në drejtimin e duhur.
“Ata [këshilltarët nga Franca dhe Gjermania] kanë sjellë përmbledhje të ideve, modeleve që unë nuk i kam refuzuar, por kam thënë se janë bazë e mirë. Unë i kam vërejtjet e mia, mirëpo unë nuk e kam kundërshtuar atë”.
Gjatë konferencës, Kurti tha se Vuçiqi po koordinohet me Rusinë dhe Kinën, dhe po zhgënjen Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Pas mbledhjes së Qeverisë së Serbisë, të shtunën, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pati takime të ndara me ambasadorin rus dhe atë kinez në Beograd. Pra, presidenti i Serbisë takohet dhe koordinohet me Rusinë dhe Kinën dhe gënjen e zhgënjen BE-në dhe SHBA-në”, tha ai.
Kurti u bëri thirrje serbëve në veri të vendit që të mos japin dorëheqje, ngase siç tha ai, “bojkotet nuk janë zgjidhje, institucionet nuk kanë alternativë”.
Ndërsa, ministri Sveçla tha se aktualisht situata në veri është e qetë dhe se janë në vazhdimësi në koordim me KFOR-in dhe EULEX-in.
Ai shtoi se ka edhe deklarime edhe indikacione se mund të ketë elemente të Rusisë të cilat janë të interesuara që të shkaktojnë trazira dhe eskalim të situatës në veri, duke mos specifikuar se për çfarë elementesh bëhet fjalë.
SHIKONI EDHE: Serbët vazhdojnë të japin dorëheqjeKurti për Asociacionin: Nuk kam përgjigje të re për pyetje të vjetër
I pyetur për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kërkesë edhe e partnerëve ndërkombëtarë, Kurti tha se ka nëntë vjet që përgjigjet për këtë çështje dhe se nuk ka përgjigje të re “për pyetje të vjetër”.
Kurti ka deklaruar disa herë që është kundër formimit të një asociacioni njëetnik.
Serbia insiston që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive.
BE-ja dhe SHBA-ja kanë bërë thirrje që Kosova të bëjë hapa të menjëhershëm drejt krijimit të Asociacionit.
Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia më 2013 arritën Marrëveshjen për Asociacionin. Më 2015, palët nënshkruan Marrëveshjen mbi parimet për formimin e Asociacionit. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese gjeti se disa pika nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.
Sveçla: 578 zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje deri tash
Zyrtarët serbë në veri të Kosovës më 7 nëntor kanë vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, deri më 7 nëntor, Kosova ka pranuar dorëheqjen e 461 zyrtarëve serbë të rendit, 107 policëve kufitarë dhe dhjetë hetuesve policorë.
Dhjetë deputetët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dorëzuar të hënën dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës
Edhe gjyqtarët serbë dhe punëtorët administrativë në Mitrovicë të Veriut kanë dhënë dorëheqje. Në gjykatën në këtë qytet ishin gjithsej 19 gjyqtarë serbë.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS - Republika e Kosovës.
Për dallim nga Kosova, Serbia e ka mbështetur vendimin e Listës Serbe.