Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar të premten që punimet për ndërtimin e një rruge që e lidh Prizrenin me Tetovën, të nisin sa më shpejt.
Duke folur gjatë një vizite për përurimin e riemërimit të një rruge më 11 gusht në Maqedoninë e Veriut, Kurti tha se rruga Prizren-Tetovë do ta ndihmonte dukshëm zhvillimin e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Aksi që e lidh Prizrenin me Tetovën është marrëveshje mes dy qeverive tona, nga mbledhja e përbashkët, e nënshkruar nga dy kryeministrat, pra nga unë dhe nga homologu maqedonas [Dimitar] Kovaçevski. Andaj, dëshirojmë që ky studim fizibiliteti të pasohet sa më shpejtë me punimet dhe realizimin e këtij projekti madhor”, tha Kurti.
SHIKONI EDHE: Ndërtimi i rrugëve, një debat i pafund në KosovëNë shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës dhe ajo e maqedonase nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e rrugës që do ta lidhte Prizrenin në jug të Kosovës me Tetovën në veriperëndim të Maqedonisë së Veriut.
Kurti theksoi se pret që edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut “të angazhohet për këtë projekt”, për të cilin tha se ka një studim fizibiliteti.
“Në bazë të llogaritjeve, nuk është ndonjë kosto e lartë, është një kosto e përballueshme. Por kthimi në këtë investim është i jashtëzakonshëm, pasi shkurtohet rruga dhe fitohet koha përfitojnë edhe qytetarët po edhe ekonomia,” nënvizoi Kurti në fshatin e malësisë së Tetovës, Vicë.
Kryeministri Kurti e vizitoi Çairin në Shkup, ku mori pjesë në përurimin e riemërimit të një rruge me emrin e veprimtarit kosovar “Adem Demaçi” në Komunën e Çairit.
Kurti nuk u takua me përfaqësuesit e partive politike në pushtet gjatë kësaj vizite në Maqedoninë Veriut, por u shoqërua nga liderët opozitarë, kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, kreu i Besës, Bilall Kasami, dhe ai i Alternativës, Afrim Gashi.