Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar të dielën komunitetit serb në Kosovë, duke i thënë se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nuk ia ndalon Serbisë që t’iu ndihmojë atyre dhe Kosova nuk e ka ndaluar dinarin, ashtu sikurse asnjë valutë tjetër.
Ai i është referuar rregullores së BQK-së – që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt – e cila parasheh që valuta e vetme për kryerje të transaksioneve me para të gatshme është euroja.
Për Kurtin, çdo interpretim tjetër i rregullores përbën fushatë mbi baza të rreme.
Teksa i është drejtuar komunitetit serb, ai ka përsëritur se rregullorja e BQK-së synon formalizim të pagesave.
“Pra, Kosova nuk e ndaloi dinarin, ashtu siç nuk e ndaloi as dollarin, as funtën dhe as frangun zviceran. I vetmi ndryshim është se nga 1 shkurti, paratë nuk mund të kalojnë kufirin me thasë, siç nuk mund të bëhet në asnjë shtet demokratik, por mund të vijnë përmes llogarive bankare, të tërhequra në euro”.
SHIKONI EDHE: Pse Kosova po insiston në ndalimin e dinarit?
Serbia e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.
Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel - rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Banka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.
BQK-ja ka thënë se një praktikë e tillë është e paligjshme, pasi vetëm ajo mund të bëjë eksport dhe import të monedhave dhe kartëmonedhave brenda territorit të Kosovës.
SHIKONI EDHE: Zbatimi i rregullores "vetëm përmes llogarive në bankat e Kosovës"
Autoritetet e Kosovës kërkojnë që serbët në Kosovë të hapin llogari në ndonjërën prej bankave komerciale të licencuara.
Shteti serb, më pas, mund t’i nisë fondet në dinarë, por ato me automatizëm konvertohen rrugës në euro.
Kurti u ka rikujtuar serbëve se do të mund të hapin llogari në euro, pa pagesë, dhe që një pjesë e serbëve veçse përfitojnë prej skemave sociale të shtetit të Kosovës.
“Çdo muaj, më shumë se 33.000 pjesëtarë të komunitetit serb marrin pensione nga Republika e Kosovës, 2.205 familje marrin ndihmë sociale, 4.244 familje marrin ndihmë për fëmijë dhe 1.372 familje marrin ndihmë për gratë lehona dhe nënat me fëmijë. Gjithçka përmes llogarisë bankare të hapur në euro”.
Edhe Kurti, sikurse zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislmi, ka thënë se do të ekzistojë një trazicion në këtë proces.
Faktori ndërkombëtar e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës pse nuk e ka shtyrë afatin për zbatim të rregullores së BQK-së, duke thënë se duhet më shumë kohë për adaptimin e komunitetit serb me vendimin.
Ditëve të fundit, BQK-ja e ka vendosur në dispozicion një linjë telefonike falas, që serbët të mund të informohen më shumë për rregulloren e re.
SHIKONI EDHE: BQK-ja lëshon linjë telefonike pa pagesë për serbët e Kosovës në lidhje me dinarinKushtetuta e Kosovës përcakton që duhet të ekzistojë vetëm një valutë për kryerje të pagesave me para të gatshme.
Kosova nuk është pjesë e Eurozonës – të cilën e përbëjnë 20 vende anëtare të Bashkimit Evropian – por e ka euron si valutë kryesore prej vitit 2002.