Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka biseduar të mërkurën me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, për dialogun me Serbinë dhe zgjedhjet lokale të mbajtura në veri.
Në një komunikatë të lëshuar për media, Zyra e Kryeministrit ka thënë se sa i përket dialogut, në fokus ka qenë Marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, në shkurt të këtij viti.
Pajtueshmëria për aneksin është arritur në mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Të enjten, Chollet dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të raportojnë para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, lidhur me politikat amerikane kundrejt Ballkanit Perëndimor.
Ndërkaq, Chollet tha se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, eventualisht do të mund të çojë në njohjen e ndërsjellë.
"Bisedë e mirë me kryeministrin Kurti, pas takimit të kryenegociatorëve. Theksova se të gjitha palët duhet të shmangin veprimet provokuese në veri. Normalizimi i raporteve me Serbinë, përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe zbatimit të Asociacionit, do t’i hapë dyert për Kosovën, përfshirë edhe eventualisht njohjen e ndërsjellë”, shkroi Chollet në Twitter.
Një ditë më parë, të mërkurën, Chollet ka biseduar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai është cituar t’i ketë thënë Vuçiqit se është e nevojshme që të shmangen provokimet dhe konfliktet mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Presidencës serbe, zyrtari i lartë amerikan ka thënë se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë të punojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe sërish ka dhënë mbështetjen e SHBA-së për procesin e dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Presidenti Vuçiq theksoi se Serbia vazhdon të jetë e përkushtuar në politikën e paqes dhe bashkëpunimit në rajon”, është thënë në njoftimin e Presidencës serbe.
SHIKONI EDHE: Chollet bisedon me Vuçiqin, kërkon shmangien e provokimeve mes Kosovës dhe SerbisëDialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011.
Rundi i fundit i dialogut - i mbajtur në nivel kryenegociatorësh më 15 maj - ka përfunduar pa ndonjë rezultat.
Analistët e çështjeve politike ka thënë se pa presion të vazhdueshëm ndërkombëtar nuk pritet të ketë përparim në këtë proces.
SHIKONI EDHE: Pa presion të madh, dialogu rrezikon të dështojë