Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e priti në një takim të martën Ozkan Ulutashin, komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, me të cilin bisedoi edhe për synimet e Qeverisë së tij për ta rihapur për qarkullim për automjete urën mbi lumin Ibër në veri.
Në një njoftim për media, Qeveria tha se ndër temat qendrore ishte “hapja e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë si një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme”, pavarësisht se ajo është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare.
"Kryeministri Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë takim, KFOR tha se është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione.
“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibile në të gjithë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin ta rregullojë atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thanë nga ky mision.
"KFOR gjithashtu mban një prani të përhershme në urën kryesore mbi lumin Ibër, në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth. Ne rikonfirmojmë që çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës”.
KFOR shtoi se do të vazhdojë të koordinohet ngushtë me të gjithë homologët, përfshirë Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), si reagues të parë, përkatësisht të dytë të sigurisë.
"KFOR është i pajisur mirë dhe i pozicionuar mirë për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e misionit të tij të mandatuar nga OKB-ja", u tha në reagim.
Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, e cila ndan shqiptarët në jug dhe serbët në veri. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.
Ditë më parë KFOR-i tha se nuk dëshiron të spekulojë për ndonjë skenarë në të ardhmen, nëse institucionet e Kosovës i kërkojnë që të largojë praninë e saj nga ura mbi lumin Ibër.
Ambasadori i amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të martën se ka rrezik të vërtetë lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.
“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t'i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.
SHIKONI EDHE: Hovenier: Hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të rrezikojë ushtarët amerikanëMinistria e Infrastrukturës e publikoi të martën më herët një raport fillestar për testimet e kryera në urë, duke thënë se është e “qëndrueshme dhe funksionale” dhe se ajo mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim ngarkese.
SHIKONI EDHE: Publikohet raporti fillestar pas testimit të urës së Ibrit“Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX”, thuhet në njoftim.
Në debatin e organizuar në komunën e Mitrovicës së Veriut kishte një pjesëmarrje të vogël të qytetarëve serbë dhe e të pranishmëve ishin asamblistë komunalë, përfaqësues të OSBE-së dhe mediave.
Kurti ka ngulur këmbë në rihapjen e urës me gjithë kundërshtimin nga bashkësia ndërkombëtare dhe serbët lokalë.
Pjesëtarët e komunitetit serb protestuan javën e kaluar kundër rihapjes së urës mbi Ibër.
Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t'i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.
Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.