Kurt Volker, ish i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, është paraqitur para ligjvënësve në Kongres në Uashington për të dëshmuar në hetimet që po kryjnë demokratët rreth mundësive për të shkarkuar presidentin amerikan, Donald Trump.
Volker është zyrtari i parë i Departamentit amerikan të Shtetit, i cili është i lidhur drejtpërdrejt me shtetin në lindje të Evropës, që dëshmon para tri paneleve të Kongresit amerikan.
Trump ka akuzuar ish-nën presidentin amerikan, Joe Biden, që garon për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, dhe djalin e tij Hunter për korrupsion në marrëveshjet e tyre politike dhe biznesore në Ukrainë, ndonëse nuk ka ofruar të dhëna për një gjë të tillë.
Duke folur para gazetarëve më 3 tetor, Trump u ka bërë thirrje Ukrainës dhe Kinës që të hetojnë Bidenin dhe djalin e tij duke thënë : Ajo që ka ndodhur në Kinë është aq e keqe sa ka ndodhur në Ukrainë.
SHIKONI EDHE: Dy zyrtarë amerikanë do të dëshmojnë në hetimet ndaj TrumpitKomitetet e Kongresit po synojnë të kuptojnë nëse Trump ka abuzuar me pushtetin e tij duke i kërkuar presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, për të hetuar ish nën-presidentin amerikan, Joe Biden, i cili po garon për të fituar nominimin e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Këto pretendime janë zbuluar në një informator në ankesën e të cilit janë prezantuar detajet e bisedës telefonike mes Trumpit dhe Zelenskiyt më 25 korrik.
Gjatë kësaj bisede, Trump i ka bërë presion homologut ukrainas, që të hetojë një kompani të energjisë, në të cilën djali i Bidenit, Hunter ka pasur pozitë në bordin e drejtorëve nga viti 2014, deri kur babai i tij ka njoftuar për kandidaturën për president në prill të këtij viti.
*Expose: Trump në ujëra të trazuara
Your browser doesn’t support HTML5
Para realizimit të kësaj thirrjeje, Trump ka pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën në vlerë të 400 milionë dollarëve, ndërsa ky shtet vazhdon të përballet me separatistët e mbështetur nga Rusia nga viti 2014.
Një ditë pas bisedës, Trump-Zelenskiy, Volker, i cili është përmendur në ankesën e informatorit bashkë me ambasadorin amerikan në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland, kanë këshilluar presidentin ukrainas si të “veprojë” pas kërkesave të Trumpit.
Volker ka dhënë dorëheqje nga pozita që ka pasur pasi emri i tij është publikuar në ankesë javën e kaluar.
Volker po ashtu ka vënë në kontakt avokatin personal të Trumpit, Rudy Giuliani me ndihmësin e presidentit ukrainas, Andriy Yermak.
SHIKONI EDHE: Informatori i Trumpit është “oficer i CIA-s”Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë për Wall Street Journal, se Volker ka vënë këta dy persona në lidhje vetëm pas kërkesës së Yermak-ut.
Gjatë bisedës me Zelenskiyn, Trump i ka thënë atij se Giuliani dhe Prokurori i Përgjithshëm, William Barr do të jenë ata me të cilët do të punojnë ukrainasit gjatë hetimeve për Bidenin dhe djalin e tij.
Agjencia e lajmeve, The Associated Press ka thënë në shtator të vitit 2018, se Volker është takuar me një këshilltar të bordit të kompanisë së energjisë, për të cilën Trump i ka kërkuar Zelenskiuyt që të kryejë hetime.
SHIKONI EDHE: Publikohen detajet e bisedës mes Trumpit dhe ZelenskiytKëshilltari, Vadym Pozharskiy, i të ashtuquajturit, Grupi Burisma është takuar me Volkerin në një takim për energjinë në Nju Jork.
“Do të kishte shumë kuptim për Kurtin që të takohet me njerëzit e Burismas”, ka thënë një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit për agjencinë e lajmeve, AP.
Avokati i Trumpit, Giuliani dhe përfaqësues të tjerë të Trumpit kanë akuzuar Joe Bidenin se i ka bërë presion Ukrainës për ta shkarkuar një prokuror që ka kryer hetime për Grupin Burisma.
Megjithatë, Biden dhe zyrtarë tjerë të administratës së ish-presidentit amerikan, Barack Obama kanë thënë se përpjekjet e ish nën-presidentit, nuk kanë të bëjnë me djalin e tij Hunter Biden.
Përkundrazi, përpjekjet kanë qenë pjesë e një qëllim të përbashkët mes dy vendeve aleate, ashtu sikur edhe e vëzhguesve të korrupsionit në Kiev, që të shkarkohet një prokuror, i cili nuk do të ndëshkonte korrupsionin, apo që nuk do ta hetonte si duhet Grupin Burisma.
Çfarë ka thënë presidenti Trump?
Presidenti amerikan ka kritikuar demokratët, të cilët janë zotuar se do të nisin kërkesa ndaj Shtëpisë së Bardhë për të fituar qasje në disa dokumente.
Komitetet janë duke kërkuar dokumente që lidhen me marrëveshjet e administratës me Ukrainën.
Presidenti amerikan ka akuzuar liderët demokratikë për pandershmëri dhe tradhti.
Trump ka thënë se beson që udhëheqësi i Komitetit për Inteligjencë në Dhomën e Përfaqësuesve, Adam Schiff, i ka ndihmuar informatorit që të hartojë ankesën.
“Ky shtet duhet ta gjejë se kush ka qenë ai person, sepse ai është spiun sipas mendimit tim”, ka shtuar Trump.
SHIKONI EDHE: Trump: Procedura për shkarkim, mashtrimi më i madhPresidenti amerikan ka kritikuar edhe udhëheqësen e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, duke i thënë se ajo duhet të fokusohet në qytetin e saj në San Francisko, të cilin e ka përshkruar si “qytet të tendave” me persona të pastrehë.