Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka kërkuar eurodeputetëve mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.
Këtë kërkese ai e bëri gjatë vizitës së 15 marsit në Parlamentin Evropian, ku u takua me përfaqësues nga dy grupime të PE-së në Strasbourg - grupin e deputetëve nga Partia Popullore Evropiane (EPP), që është edhe grupi më i madh politik, dhe grupin e të gjelbërve.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor, ndërsa në Këshill të Evropës në maj të vitit të kaluar.
“Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e përkrahjes së Parlamentit Evropian në trajtimin sa më të shpejtë të aplikimeve të Kosovës dhe mbështetjes përgjatë gjithë rrugëtimit integrues”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kurti po qëndron në Strasburg për të marrë pjesë në takimin e dhjetë të Komitetit Parlamentar për marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në.
Ai takoi edhe kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, me të cilin foli edhe për "finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave".
Ndërsa gjatë ditës pritet të takohet edhe me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
- Presione mbi Suedinë që të merret me aplikimin e Kosovës në BE
- Leigh: Përgjigjja e BE-së ndaj aplikimit do të ndikohet nga shtetet mosnjohëse
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se është diskutuar “edhe për takimin e 18 marsit në Ohër, mundësitë që paraqet dhe pritjet nga ai takim”.
Nga burimet e Parlamentit Evropian thuhet se deputetët janë interesuar edhe për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe takimin e ardhshëm të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ata ende nuk e kanë nënshkruar propozimin, por janë pajtuar se nuk ka nevojë që për këtë dokument të ketë negociata të mëtejme.
Në takimin e 18 marsit pritet që Kosova dhe Serbia të bisedojnë për zbatimin e këtij propozimi.
SHIKONI EDHE: PE u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në procesin e dialogutParlamenti Evropian ka mbështetur propozimin e evropian dhe ka kërkuar nga të dyja palët që të angazhohen në mënyrë konstuktive për normalizimin e raporteve, që do të ndihmonte edhe realizimin e aspiratave të tyre për integrim në BE.
Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashhkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t'i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.