Kur do të mund të udhëtoni [përafërsisht] pa viza në BE?

Ilustrim

“Vizat liberalizohen këtë vit”, “vizat hiqen në pranverë” … togfjalësha të kësaj natyre janë dëgjuar shpesh viteve të fundit nga elita politike në Kosovë. Por, kur në fakt do të mund të udhëtojnë qytetarët e Kosovës pa viza në zonën Schengen të Bashkimit Evropian?

Procedura për secilin shtet dallon, ajo varet edhe nga raportet ekzistuese brenda Bashkimit Evropian në një periudhë të caktuar kohore. Por, janë disa hapa të pashmangshëm që vlejnë për cilindo vend që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian, e që synon të liberalizohet nga regjimi i vizave. Një nga shembujt më të fundit të liberalizimit të vizave për një vend jo-anëtar të BE-së është Ukraina.

Nëpër cilat procedura është dashur të kalojë Ukraina dhe në çfarë periudhe kohore?

10 maj 2016

Grupi punues për liberalizimin e vizave mban takim për Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Kosovën. [Kosova mbeti jashtë nga ky grup për shkak të rekomandimit që përfshiu dy kritere shtesë: demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe arritjen e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit].

26 shtator 2016

Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme [LIBE] i Parlamentit Evropian voton për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Ukrainës t’i liberalizohen vizat [votimi për Kosovën është bërë më 30 gusht, 2018].

25 tetor 2016

Parlamenti evropian voton për fillimin e bisedimeve për liberalizimin e vizave për Ukrainën [votimi për Kosovën është bërë më 13 shtator, 2018].

27 tetor 2016

Grupi punues për liberalizimin e vizave mban diskutimet e para në kuadër të Këshillit Evropian [takimi për Kosovën më 17 shtator]

17 nëntor 2016

Ambasadorët e Bashkimit Evropian në Këshillin Evropian i japin dritën e gjelbër mandatit negociues për liberalizimin e vizave për Ukrainën [një nga vendimet më të rëndësishme në procesin e liberalizimit].

28 shkurt 2017

Takimi trepalësh ndërmjet Parlamentit Evropian, Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Ukrainën.

2 mars 2017

Ambasadorët e BE-së miratojnë marrëveshjen e arritur gjatë takimit trepalësh.

9 mars 2017

Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme [LIBE] i Parlamentit Evropian voton për liberalizimin e vizave për Ukrainën.

6 prill 2017

Parliamenti Evropian voton për liberalizimin e vizave për Ukrainën.

26 prill 2017

Ambasadorët e Bashkimit Evropian miratojnë liberalizimin e vizave për Ukrainën.

11 maj 2017

Ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian miratojnë liberalizimin e vizave për Ukrainën.

17 maj 2017

Akti ligjor që miraton liberalizimin e vizave nënshkruhet në Parlamentin Evropian nga përfaqësues të Këshillit, vetë Parlamentit dhe Komisionit Evropian.

22 maj 2017

Akti ligjor publikohet në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian. Secili akt i tillë, hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit në gazetën zyrtare.

11 qershor 2017

Ukrainasit udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian.​

Shënim: Ky kalendar kohor është realizuar vetëm për të pasqyruar procedurën nëpër të cilin kalon çdo vend kandidat për liberalizim vizash dhe jo domosdoshmërisht përcakton afatin kohor për Kosovën.