Dyert e shkollës në Çashkë të mbyllura për nxënësit shqiptarë që nga shtatori

Shkolla fillore “Todor Janev” në Çashkë.

Institucionet e Maqedonisë së Veriut ende nuk kanë një zgjidhje konkrete për zbatimin e Kushtetutës në komunën e Çashkës, ku tash e katër muaj po pengohet fillimi i mësimit në gjuhën shqipe në klasën e parë.

Çashka gjendet rreth 40 kilometra nga Shkupi, ndërsa numëron afër 7.900 banorë, të shpërndarë në disa fshatra.

Edhe pse mbi 50 për qind të popullatës e përbëjnë shqiptarët, maqedonasit që jetojnë në fshatin Çashkë që nga shtatori i vitit të kaluar kanë bllokuar dyert e shkollës për nxënësit shqiptarë pasi vlerësojnë se ata nuk duhet të mësojnë në gjuhën shqipe në shkollën e tyre, ku deri tani rreth 70 nxënës shqiptarë mësonin në gjuhën maqedonase.

Ministria e Arsimit në gusht të vitit të kaluar kishte vendosur të hapë paralelen e parë më mësim në gjuhën shqipe në këtë shkollë, pasi ishte objekti më i afërt për nxënësit e fshatrave përreth, por edhe për faktin se fëmijët veçse mësonin në këtë objekt, por në maqedonisht.

“Pse këtu të hapet paralele shqipe kur dihet se këtu jeton popullatë maqedonase?! Ata le të mësojnë në gjuhën maqedonase, por nëse duan të mësojnë në gjuhën e tyre, le të shkojnë në fshatin Jabollçishtë”, thotë një banore nga Këshilli i prindërve maqedonas.

SHIKONI EDHE: Maqedonasit në Çashkë kundër mësimit në gjuhën shqipe

Por, fshati që përmendi ajo ndodhet rreth 35 kilometra nga Çashka, që për prindërit shqiptarë. Për shkak të largësisë, ky propozim është i papranueshëm pasi objektin shkollor ku tani mësojnë fëmijët e kanë shumë pranë shtëpive të tyre.

Prindërit shqiptarë janë në pritje të ndërhyrjes së institucioneve për ta zgjidhur problemin, nga i cili fëmijët po humbin më së shumti.

“Ende nuk kemi marrë një përgjigje konkrete. Në vazhdimësi na thonë se do të bëhet, por se kur, nuk e dimë. Kjo që po ndodh është e tepërt. Ata çdo ditë bllokojnë hyrje-daljet e shkollës dhe është e pamundur të hyjmë në objekt”, thotë Besmiri, mësimdhënës.

SHIKONI EDHE: Ligji për përdorimin e gjuhëve, pjesërisht i zbatueshëm

Lidhur me këtë çështje është prononcuar edhe kryeministri teknik, Talat Xhaferi, duke thënë se problemi duhet të zgjidhet “në kuadër procedurave dhe rregullave në fuqi”.

Edhe pse problemi është i njohur, Xhaferi ka thënë se nuk mund të bëjë asgjë pa u njoftuar me gjithë situatën.

“Pa e parë situatën në përgjithësi se çfarë ka ndodhur deri më tani, cilat rrugë kanë ndjekur, nuk mund të thuhet konkretisht se çfarë do të bëhet. Por, gjithsesi se një parashikim i gjithë kësaj situate dhe zgjidhja ligjore do të jetë konform asaj çfarë parashikojnë ligjet dhe Kushtetuta”, ka deklaruar Xhaferi.

Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut garanton të drejtën e arsimit fillor dhe të mesëm në gjuhën amtare. Mësimi në këto dy cikle mësimore është i obligueshëm dhe kushdo që e pengon zbatimin e kësaj të drejte përballet me sanksione, përfshirë edhe prindin e fëmijës nëse nuk e dërgon atë në shkollë.

Në shkollën e Çashkës “Todor Janev” disa herë janë bërë kontrolle nga Inspektorati i Arsimit, i cili ka konstatuar se ka kushte për ndjekjen e mësimit, ndërsa nga drejtuesit e Komunës ka kërkuar krijimin e kushteve për mbarëvajtjen e mësimit.

SHIKONI EDHE:

Shtohen kërkesat për ridefinimin e shqipes në Kushtetutën e Maqedonisë së V.Sfida e vazhdueshme e dygjuhësisëTekstet shkollore që mësojnë gabimisht nxënësit

Lidhur me këtë problem ka reaguar edhe Avokati i Popullit, i cili ka konstatuar se në këtë vendbanim është shkelur Kushtetuta, si garantuese e mësimit në gjuhën amtare për çdo shtetas të Maqedonisë së Veriut.

Ministria e Arsimit nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndjekjes së mësimit online që nxënësit të mos humbin me mësime, ndërsa në disa raste ka pasur edhe propozime për ndërtimin e një objekti të ri shkollor pranë fshatrave të banuara me popullatë shqiptare.